Rend dhe Ligj

Atentati me 4 të plagosur në Lundër, gjenden gjurmë të autorëve gjatë pritjes. Zbulohet itinerari që ndoqën

Gazeta Si – Disa prova dhe sende që për policinë konsiderohen të rëndësishme për hetimet, janë gjetur në një gardh metalik, ky dyshohet se kanë qëndruar për disa orë 2 autorët e dyshuar të ngjarjes, ku u plagosën 4 persona në Lundër, mes tyre dy të mitur.

Sipas burimeve paraprake, këto prova do të verifikohen në laborator për nxjerrjen e të dhënave të ADN-së, me qëllim zbulimin e përsonave përgjegjës të atentatit me armë zjarri.

Burimet bëjnë me dije se në zonën ku dyshohet se autorët kanë pritur makinën para ngjarjes, janë gjetur disa sende që mendohet t’u përkasin atyre.

Sipas hetuesve, ata kanë qëndruar të fshehur buzë rrugës për një kohë të shkurtër në atë vend në pritje të objektivit të tyre, ku dyshohet se u kanë rënë disa sende dhe kanë dëmtuar edhe një gardh metalik.

Pikërisht në këto sende, janë zbuluar gjurmë dhe material gjenetik, të cilat janë dërguar në laborator për analizë.

Pritet që në vijim të kryhen krahasimet gjenetike për të identifikuar dhe ndaluar personat e përfshirë në atentat.

Sa i përket itinerarit të motorit ku dyshohet se udhëtonin autorët, ai ka lëvizur nga fshatrat Arbanë-Vishnjë-Picallë-Sauk-Mjull Bathore-Liqeni i Farkës-Rruga Agallarëve-vendi ngjarjes.

Në pjesën më të madhe, kjo rrugë përdoret shpesh herë nga personel i policive private “Security”, të cilat lëvizin me motorra dhe dyshohet se është përdorur e njëjta rrugë që autorët të mos ngrenë dyshime.

Atentati në Lundër ndodhi mbrëmjen e të enjtes, 17 prill, ku të plagosur mbeten 2 djemtë e pronarit të kompanisë “Pelikani Security”, përkatësisht 11 dhe 17 vjeç, shoferi i familjes dhe një shok i djemve.

11-vjeçari është në gjendje të rëndë spital dhe është dërguar në Itali për kurim, ndërsa policia ka dyshime se atentatorët kanë ngatërruar shënjestër.

Policia dyshon se atentati në Lundër lidhet me atë të ndodhur në Lezhë të njëjtën natë, ku mbeti i vdekur Gjovalin Prendi, babai i Sidorel Prendit alias Roan Brahimi, i cili u vra një vit më parë në Greqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë