Gazeta Si – Masakra e trefishtë në Shkodër, ku një nga viktimat nuk kishte lidhje me ngjarjen, ka rikthyer edhe një herë vëmendjen mes përplasjes së përgjakshme të dy bandave kryesore në qytet: ajo mes familjes Lici dhe Bajri.
Edhe pse deri tani nuk ka asnjë të arrestuar, përveç shoqërimit në polici të Safet Bajrit, burime nga grupi hetimor shprehen se pista kryesore për vrasjen e Hamza Licit dhe mikut të tij Arlind Bushati, ka lidhje me rivalitetin e familjes Bajri.
LEXO EDHE:
– SPAK zbardh 4 ngjarje kriminale. Si u porositën vrasjet nga biznesmeni i arrestuar dhe grupi Bajri. Viktimës i shkuan në varrim!
– Turqia rrëzon Shqipërinë, gjykata liron nga qelia Ibrahim Licin pak javë pas arrestimit
Shkodra prej kohësh po vuan dhe është nën ndikimin e pushtetit të grupeve rivale, që tashmë në qytet njihen me termin “familje mafioze”, edhe pse nuk operojnë në mënyrë klasike të tilla, por që ndër vite kanë pasur edhe mbështetjen e partive politike.
Përplasja mes dy familjeve ka shkaktuar disa ngjarje kriminale dhe me dhjetëra viktima në rreth dy dekada në Shkodër.
Në kryeqendrën e veriut, të gjithë e dinë, përfshirë dhe policinë, se lagja Dobraç kontrollohet nga Bajrat dhe ajo në Kiras nga Licët.
Viktima e fundit, Hamza Lici, është vëllai i Ibrahim Licit, i cili akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës në maj të vitit 2021. Ibrahim Lici u arrestua vitin e kaluar në Turqi dhe më pas lirua, pasi u refuzua ekstradimi në Shqipëri.
Arrestimi i Licëve për gjobëvënie
Emri i Ibrahim Licit u lakua gjatë vitit 2017, pas informacioneve se u vendoste gjoba bizneseve në Shkodër.
Në atë kohë policia zhvilloi operacion duke arrestuar një grup personash, mes tyre edhe Ibrahim Licin, por që më pas u lirua.
Ibrahim Lici ka qenë i arrestuar së bashku me vëllanë e tij, Muhamet Lici, në mars të 2017, pasi drejtonin një grup kriminal që u vendosnin gjoba tregtarëve të Zdrales në Shkodër. Muhamet Lici u dënua me 13 vite burg, ndërsa gjykata e la të lirë Ibrahim Licin.
Më pas, në ‘lojë’ futet edhe një fis tjetër i njohur në Shkodër, Bilalët. Situata u tensionua, kur Astmer Bilalit i vranë babanë dhe xhaxhanë në Shkodër. U dyshua për fisin Lici, por provat munguan. Më e fundit e përplasjeve, ishte vrasja e Endri Mustafës në vitin 2021.
Policia shpalli në kërkim Ibrahim Licin, por ky i fundit tha se kishte alibi dhe se vrasjen e kishin kryer Bilalët.
Sipas policisë, Lici është autori kryesor i atentatit ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të vitit 2019.
Ata u ekzekutuan në portën e shtëpisë me breshëri kallashnikovi dhe ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër.
Atentati me tritol ndaj Lulzim Kullës
Gjithçka dyshohet se ka nisur që prej atentatit në janar të vitit 2018 ndaj biznesmenit Lulzim Kulla, i fërm i familjes Lici.
Shpërthimi i telekomanduar plagosi 8 persona, mes të cilëve dhe Kulla. Më pas, më 18 qershor, u vra në servisin e tij Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje.
Më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin me qira, ekzekutohen çifti Boran Bërçana, ish-polic dhe Silvi Ndoci, ndërsa bashkë me ata në makinë ndodhej edhe fëmija 3 vjeç, i cili u shpëtoi plumbave.
Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri dhe po ashtu ish-polici dyshohej se kishte lidhje në atentatin ndaj Lulzim Kullës në 2018-ën.
Dyshimet e policisë në rrugë jo zyrtare, ishin se vrasja e çiftit dyshohet se është kryer nga fisi Lici në Shkodër, të cilët kanë lidhje me Lulzim Kullën, duke qenë se ishte dhëndri i tyre.
Më 10 gusht 2018, vritet Fatbardh Lici, pjesëtar i familjes Lici, vëllai i Sokol Licit dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Mustafa Lici, babai i Ibrahimit, Hamzait dhe Muhametit. Kjo vrasje dyshohet se erdhi si hakmarrje nga fisi Bajri, pas vrasjes së ish-policit Bërçana.
Zhdukja e dajë dhe nip
Më 23 gusht, u zhdukën Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, ndërsa sot trupat e tyre ende nuk janë gjetur. Këta dy shtetas dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici.
Më pas, vjen vrasja e Arjan Ferracakut, i cili u qëllua teksa ndodhej në zonën e Livadheve më 1 shtator 2018.
Më 14 nëntor 2018 vritet Fatos Ferracaku, kushëri i Arjan Ferracakut. Viktima u vra në mes të ditës, teksa po shiste peshk në lagjen “Rus”.
Në shtator të vitit 2019, pas fillimit të serisë së krimeve, policia ndërhyri duke arrestuar anëtarët e dyshuar të grupit kriminal “Bajri”. 12 persona, përfshi Astmer Bilalin u arrestuan në Shqipëri, Holandë, Belgjikë e Spanjë.
Safet Bajri u lirua në vitin 2023 me kusht nga burgu i Fierit, ndërsa ësht shoqëruar disa herë në polici për t’y pyetur si person n dijeni për ngjarje të ndryshme kriminale.
Lufta për territor dhe trafikun e drogës
Këto vrasje dhe luftë mes bandash lidhen më tepër me dominimin e territoreve apo dhe trafiqet e paligjshme kryesisht të lëndëve narkotike. Shkodra si një vend kufitar me Malin e Zi njihet edhe si pikë tranziti i kalimit të lëndës narkotike, jo vetëm të kanabis sativas.
Raportet e policisë tregojnë se gjobëvëniet janë edhe një formë e operimit të bandave të ndryshme në Shkodër.
Tashmë qyteti është ndarë në disa zona, ku bizneset detyrohen të paguajnë për ushtrimin e aktivitetit apo ruajtjen e dyqaneve. Dominimi apo kontrollimi i terrorit, mendohet se mund të jetë pjesë e këtij konflikti.
Këto vrasje zinxhir që tronditën Shkodrën duket se nuk do të kenë fund, pasi tashmë përplasjet kanë përfunduar në zbatimin e “ligjit” të gjakmarrjes.
Vrasjet e bujshme në Shkodër
18 qershor 2018 – Vritet me armë zjarri Mehdi Kavaja, pronari i servisit të makinave
15 korrik 2018 – Ekzekutohet me armë zjarri në makinë Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci
10 Gusht 2018 – Fatbardh Lici mbeti i vrarë si pasojë e 6 plumbave
Në 23 gusht 2018 – Zhduken Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa
Në 27 gusht 2018 – U vra Prendush Fusha
1 shtator 2018 – Vritet Arjan Ferracaku 31 vjeç
14 nëntor 2018 – Vritet Fatos Ferracaku 40 vjeç kushëri i biznesmenit Arjan Ferracaku
20 mars 2019 – Vritet Ferdinand Polia
30 mars 2019 – Vriten me breshëri automatiku Ibrahim dhe Astrit Bilali
Sipas përgjimeve të dala nga rrjeti i aplikacionit “Sky ECC”, Ibrahim Lici ka qenë në shënjestër të grupit të Bajrave për t’u ekzekutuar, referuar detajeve të zbuluara nga dosja “Metamorfoza”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.