Gazeta Si – Orlando Paplekaj, i cili dyshohet se i shpëtoi për mrekulli një atentati dy ditë më parë në Shijak, mohon që të shtënat me armë zjarri kanë pasur atë si shënjestër.
Sipas asaj që thotë 31-vjeçari, ka dyshime të forta se objektivi nuk ka qenë ai, por dikush tjetër që ka kaluar aty pranë.
“Unë personalisht, mendoj se atentati mund të ketë qenë ndaj atij, personit tjetër”, – ka thënë Paplekaj para grupit hetimor.
Por Policia e Durrësit, dyshon se një nga pistat kryesore, është lidhja me grabitjen e parave të Rinasit 3 vite më parë, pasi besohet se Paplekaj ka dijeni për këtë ngjarje.
Kjo për shkak të lidhjeve familjare që vëllai i tij kishte me dy vëllezërit Haxhiaj (është kunati i njërit prej tyre), të cilët u ekzekutuan në Durrës përpara dy vitesh.
Hetuesit nuk përjashtojnë edhe pista të tjera. Vetë Paplekaj nuk ka qenë bashkëpunues me policinë, duke deklaruar se nuk ka dijeni për autorët dhe nuk ka konflikt me persona të tjerë.
Por ai pretendon se mund të jetë paralajmërim për një person tjetër, ose atentatorët kanë ngatërruar objektiv.
I riu me origjinë nga Tropoja, por me banim në Durrës, ka ngritur edhe një “pistë” tjetër, ku shprehet se atentati mund të jetë bërë kundër punëdhënësit të tij.
“Kam frikë mos është një atentat, ose paralajmërim ndaj punëdhënësit tim, pasi unë nuk kam asnjë konflikt”, – u shpreh babai i dy fëmijëve.
Ai punonte si shpërndarës i bombolave të gazit dhe atentati iu bë pikërisht teksa ai ishte gjatë orës së punës.
Megjithatë, policia nuk përjashton edhe pistën e inskenimit, pasi kamionçina e tij nuk u prek nga asnjë plumb.
Por këtë e hedh poshtë 31-vjeçari, i cili shprehet se nuk ka synim të fitojë azil. Po ashtu ai përjashton edhe lidhjet që mund të jetë bërë për shkak të profesionit të të atit si polic.
“Nuk ka asnjë inskenim, për azil. Jam me letra të huaja. As nuk është e vërtetë që ngjarja mund të ketë lidhje më punën e tim ati, që është polic, apo me punën time si roje sigurie. I qëndroj faktit që nuk e kam idenë se kush është motivi i këtij atentati. Policia më pyeti dhe për personin tjetër që ndodhej aty pranë dhe unë nuk e njihja”, – është shprehur Orland Paplekaj.
Babai i dy fëmijëve, u qëllua nga një makinë “Golf” në lëvizje, që pas të shtënave u largua përmes një rruge të ngushtë, me dalje në autostradën Tiranë-Durrës.
Orlando Paplekaj është me orgjinë nga Tropoja dhe jeton në Durrës prej 13 vitesh, së bashku me familjen, ndërsa babai i tij punon në burgun e Durrësit.
Ai kishte pak kohë që kishte nisur punën e re, atë të shpërndarjes së bombolave të oksigjenit për llogari të një kompanie, ndërsa më herët ka punuar për disa kohë edhe si roje në disa kompani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.