Njerez

Astronomja më e re në botë! 8-vjeçarja zbulon 18 asteroidë

Një vajzë 8-vjeçare është bashkuar me një program të lidhur me NASA-n për kërkimin e asteroideve, dhe ka parë tashmë 18 shkëmbinj hapësinorë, sipas familjes së saj.

Nicole Oliveira, nga Fortaleza, Brazil, ka pasur interes për hapësirën që kur ishte e vogël dhe në moshën tetëvjeçare ajo është quajtur ‘astronomja më e re në botë’ falë punës së saj me NASA –n.

Projekti me të cilin ajo është e përfshirë njihet si ‘Gjuetarët e Asteroideve’ dhe është krijuar për t’i prezantuar të rinjtë me shkencën duke i ndihmuar ata të bëjnë zbulimet e tyre.

Dhoma e saj është e mbushur me postera të Sistemit Diellor, sipas familjes së saj, me raketa në miniaturë dhe figura që lidhen me yjet dhe qiellin.

Ajo punon nga një kompjuter me dy ekrane të mëdha, ku kalon kohën e lirë duke studiuar imazhet e qiellit, të marra nga teleskopët, për të kërkuar gurë hapësinorë.

“Asteroid Hunters” drejtohet nga International Astronomical Search Cooperation, një program shkencor i lidhur me NASA-n.

Përfshirja e Oliveiras erdhi sepse ministria e shkencës në Brazil është një nga organizatat e partneritetit, që punon me NASA -n dhe të tjera.

Nicole thotë se ajo tashmë ka gjetur 18 asteroidë dhe planifikon t’i emërojë sipas shkencëtarëve brazilianë dhe anëtarëve të familjes, si mamaja dhe babai i saj.

Mund të duhen disa vjet që 18 zbulimet e saj të konfirmohen si një shkëmb hapësinor, por nëse ato janë vërtetë, atëherë ajo do të bëhej personi më i ri në botë që ka zbuluar zyrtarisht një asteroid.

Ajo do të thyejë një rekord të vendosur nga astronomi amator italian, Luigi Sannino, i cili vuri re dy asteroidë në 1998 dhe 1999 në moshën 18 vjeç.

“Ajo është shumë e aftë, ajo menjëherë vë re pikat në imazhet që duken si asteroidë dhe shpesh këshillon shokët e saj të klasës kur nuk janë të sigurtë se kanë gjetur ndonjë të tillë”, tha Heliomarzio Rodrigues Moreira, mësuesi i astronomisë i Oliveiras.

Ajo shkon në një shkollë private në qytetin Fortaleza në Brazilin verilindor.

“Gjëja më e rëndësishme është që ajo të ndajë njohuritë e saj me fëmijët e tjerë. Ajo kontribuon në përhapjen e shkencës”, shtoi Moreira.

“Ne e kuptuam se ky pasion për astronominë ishte serioz kur ajo na kërkoi një teleskop si dhuratë për ditëlindje kur ajo mbushi katër vjeç. Unë as nuk e dija se çfarë ishte një teleskop”, thotë nëna e saj, Zilma e cila tregon se Oliveira e mori teleskopin kur ishte shtatë vjec, si një dhuratë nga shoqëria e saj.

Vajza ndërkohë edhe ka biseduar me astronomë, është takuar me ministrin brazilian të shkencës dhe brazilianin e vetëm që ka shkuar në hapësirë, Marcos Pontes.

Oliveira dëshiron të bëhet një inxhiniere e hapësirës ajrore dhe të ndërtojë raketa kur të rritet, me shpresën që një ditë të shkojë në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida për të parë raketat e tyre.

Burimi: Daily Mail. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë