Shendet

Astma dhe problemet me mushkëritë, sërish pabarazi mes amerikanëve të pasur dhe të varfër

Në dekadat e fundit, cilësia e ajrit është përmirësuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nivelet e pirjes së duhanit kanë rënë dhe rregulloret e sigurisë së qeverisë kanë ulur ekspozimin ndaj ndotësve të vendit të punës.

Por amerikanët e pasur dhe të varfër nuk kanë përfituar në mënyrë të barabartë, raportuan shkencëtarët në një studim këtë fundjavë. Ndërsa amerikanët më të pasur e kanë lënë duhanin në grupe, përdorimi i tij, mbetet i shpeshtë tek të varfërit.

Astma është bërë më e përhapur në mesin e të gjithë fëmijëve, por është rritur në mënyrë drastike në komunitetet me të ardhura të ulëta. Dhe amerikanët e varfër vazhdojnë të kenë më shumë sëmundje kronike të mushkërive sesa të pasurit.

Edhe kur shkencëtarët kontrolluan për efektet shëndetësore të normave më të larta të pirjes së duhanit midis individëve me të ardhura të ulëta, ata zbuluan se hendeku i shëndetit të frymëmarrjes vazhdonte midis amerikanëve të pasur dhe njerëzve nga komunitetet e varfra.

“Mbi të gjitha, cilësia e ajrit është përmirësuar gjatë gjashtë dekadave të fundit, por frytet e këtij përmirësimi nuk janë shijuar në mënyrë të barabartë në shoqërinë tonë”, – tha Dr. Adam Gaffney, një profesor asistent në Shkollën Mjekësore të Harvardit dhe autor kryesor i studimit.

“Pabarazitë në shëndetin e mushkërive që ishin të pranishme në vitet ‘60 kanë vazhduar dhe në disa raste, madje janë zgjeruar”. Pandemia Covid-19, e cila ka sjellë një dëm disproporcional ndaj njerëzve me ngjyrë në Amerikë, ka hedhur dritë mbi hendekun e fortë shëndetësor racor.

Afro-amerikanët, hispanikët, vendasit dhe popullata e lindur në Alaska, janë infektuar me koronavirus me ritme më të larta se amerikanët e bardhë; ata janë shtruar në spital rreth tre herë më shpesh dhe kanë vdekur me rreth dyfishin e normës së amerikanëve të bardhë.

Disa nga këto pabarazi, mund të shpjegohen nga ekspozimet në punë, banesat e mbingarkuara me njerëz, vështirësitë për të pasur qasje në kujdesin shëndetësor dhe nivele më të larta të kushteve shëndetësore para-ekzistuese, si diabeti.

Por studimi i ri, sugjeron gjithashtu se shëndeti i dobët i mushkërive dhe nivelet më të larta të problemeve të frymëmarrjes mund t’i kenë lënë amerikanët me të ardhura ndjeshëm më të ulta ndaj pneumonisë, shpesh të shkaktuar nga koronavirusi.

Studimi, i cili u publikua në revistën “JAMA Internal Medicine”, përfshiu të dhëna nga sondazhet shëndetësore kombëtare të kryera nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në mënyrë periodike nga viti 1959 në 2018-ën. Studimi nuk shqyrtoi pabarazitë në shëndetin e frymëmarrjes sipas racës ose etnisë, megjithëse vlerësoi dy diferenca të bazuara tek të ardhurat dhe kultura në shëndetin e mushkërive.

Sondazhet, të cilat përdorin shembuj përfaqësues kombëtar të popullsisë, pyetën njerëzit në lidhje me problemet e frymëmarrjes, duke përfshirë sëmundjet e mushkërive, simptoma si gulçim dhe kollitje dhe nëse ata pinin duhan apo kishin pirë duhan më parë.

Megjithëse shumica e informacionit ishte vetë-raportuar, disa të anketuarve gjithashtu iu dhanë teste të funksionit të mushkërive.

Para viteve 1980, nivelet e pirjes së duhanit nuk ndryshonin shumë nga të ardhurat dhe ato ndryshonin vetëm pak nga niveli i arsimit: 62% e të rriturve më të pasur dhe 56% e më të varfërve, ishin ose duhanpirës aktualë ose ish.

Por kjo ka ndryshuar në mënyrë drastike. Nga periudha e sondazhit 2017-18, nivelet aktuale dhe të mëparshme të pirjes së duhanit, mes më të pasurve ranë me gati gjysmën në 34%, ndërsa normat midis më të varfërve, deri në 57.9%.

Megjithëse pirja e duhanit është një zakon i fituar, njerëzit me të ardhura më të ulta mund të kenë më shumë gjasa të përdorin duhan për të përballuar streset e varfërisë, tha Dr. Gaffney.

Reklamimi i duhanit shpesh synon komunitetet me të ardhura të ulëta dhe që kanë një dendësi më të lartë të dyqaneve të duhanit në lagje të varfra, sipas autorëve të një komenti që shoqëron studimin. Njerëzit e varfër gjithashtu mund të kenë qasje më të kufizuar në programet e ndërprerjes së duhanit dhe terapitë zëvendësuese, thanë ata.

“Ne jemi duke menduar gjithnjë e më shumë për varësinë e duhanit si një sëmundje”, – tha Dr. Sarath Raju, një profesor asistent i mjekësisë pulmonare dhe të kujdesit kritik në Universitetin Johns Hopkins.

“Përgjegjësia individuale është e rëndësishme, por pa trajtim të duhur ose qasje në trajtim për t’ju ndihmuar të hiqni dorë, kjo është një sfidë”.

Midis fëmijëve, nivelet e astmës u rritën në të gjitha grupet e të ardhurave pas 1980-ës, por ato u rritën më ashpër në mesin e fëmijëve nga familjet më të varfra. Kishte pak ndryshim në normat e astmës tek fëmijët e vegjël të moshës 6 deri 11 vjeç para vitit 1980, e cila qëndronte mes 3-4%. Por deri në 2017-18, normat midis të varfërve u rritën në 14.8%, krahasuar me 6.8% midis fëmijëve nga familjet me të ardhura më të larta.

Midis të rriturve me të ardhura të ulëta, nivelet e sëmundjes pulmonare obstruktive kronike, një sëmundje inflamatore e mushkërive, kanë qenë prej kohësh më të larta se sa tek individët më të pasur. Por normat janë rritur, duke zgjeruar hendekun, me përhapjen në mesin e amerikanëve më të varfër duke u rritur në 16.3%, nga 10.4 përqind, edhe pse norma mbeti e qëndrueshme, në 4.4% tek më të pasurit.

Midis vitit 1959 dhe 2019, të rriturit më të varfër dhe më pak të arsimuar, raportuan vazhdimisht simptoma më shqetësuese të frymëmarrjes,  sesa tek njerëzit më të pasur dhe më të arsimuar. Për disa simptoma, si një kollë problematike, hendeku midis të pasurve dhe të varfërve u zgjerua me kalimin e kohës.

Autorët shohin si faktorë të shumtë të këtij problemi, pabarazitë, përfshirë ndotjen e ajrit, ekspozimet në vendin e punës, infeksionet e mushkërive, ekspozimet para lindjes, lindjet e parakohshme dhe kequshqyerja.

“Cilësia e ajrit ndryshon shumë, jo vetëm nga një qytet në një qytet tjetër, por gjithashtu lagje për lagje dhe madje nga blloku në bllok”, – shtoi Dr. Steffie Woolhandler, autore tjetër e studimit.

“Një person i pasur, ndoshta nuk do të zgjidhte të jetonte afër një autostrade, sepse ka shkarkime të karburanttit të makinave dhe do të zgjidhte të mos jetonte pranë një fabrike ose termocentrali, – shpjegon ajo. – Një person i varfër nuk e ka domosdoshmërisht atë zgjedhje”.

E njëjta gjë është e vërtetë për vendet e punës, vijoi studiuesja: “Nëse keni mundësi zgjedhjeje për ato punë që iu ofrohen, nuk do të punoni në një mjedis të mbushur me tym, ndërsa njerëzit që nuk kanë zgjedhje, duhet të punojnë në ato mjedise”, – theksoi ajo.

Burimi: “New York Times”; Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë