Futboll

Asllani ka ndryshuar hierarkitë, pritet titullar për herë të tretë radhazi me Interin

Gazeta Si – Është momenti i Kristjan Asllanit. Paraqitja e mesfushorit shqiptar në ndeshjet e fundit duket se e ka bindur trajnerin Simone Inzagi për t’i besuar për herë të tretë radhazi nga minuta e parë. Ai e ka llogaritur titullar edhe sot ndaj Xhenoas 21-vjeçarin.

Këtë sezon Asllani ka dhënë përgjigjet që tek Interi prisnin. Mesfushori shqiptar ka ndryshuar hierarkitë dhe tani është direkt pas Çalhanoglu në radhë. Nëse nuk luan turku, atëherë regjia është për Asllanin. Sigurisht që është edhe situata shumë e mirë që po kalon Interin që e favorizon shqiptarin.

Kristjan Asllani. Gazeta Si, 3 mars 2024

Mesfushori me origjinë nga Elbasani ka lënë pas holandezin Klasen në zgjedhjet e trajnerit Inzagi. Me rritjen që po tregon sa herë që luan, Asllani po bëhet i rëndësishëm për zikaltrit, duke përmirësuar ndjeshëm parametrat individualë. Pasime të sakta, aktiv në organizimin e lojës dhe asist. Ka mbetur vetëm goli, që i ka shkuar pranë në disa raste.

Kurrë më parë Asllani nuk ka luajtur dy ndeshje radhazi si titullar tek Interi, sot ka shansin të luajë edhe të tretën dhe të përmirësojë veten. Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, me siguri fërkon duart nga kjo situatë, sepse e ka Asllanin një nga kolonat kryesore të skuadrës së tij.

Nëse vazhdon me këtë ritëm, mesfushori kuqezi do të jetë në top-formë për Europianin e Gjermanisë. Bashkë me Ylber Ramdanin, ai formon një dyshe solide në qendër të mesfushës së Kombëtares.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë