Njerez

‘Askund nuk je i sigurt’/ Ajo mendoi se kapi një burrë duke tradhtuar gruan, kështu që e postoi në TikTok (dhe rrjeti shpërtheu)

Askund nuk je i sigurt. As në kafene, as në tren madje as në avion.

Padashur dhe pa pëlqimin tuaj, në çdo moment mund të bëheni personazhi kryesor i ditës i mediave sociale – në këtë rast jo ai i njeriut të mirë.

I tillë ishte rasti i dy personave këtë javë, kur një grua postoi disa video në TikTok të një burri dhe një gruaje në një fluturim nga Hjustoni në New York City, duke pretenduar se ata kishin një lidhje madje duke i etiketuar  me emër. (Videot që atëherë janë fshirë.)

Burri, tha ajo në video, kishte një unazë martese në gisht, ndërsa dyshja flirtuan dhe pinin gjatë gjithë fluturimit.

Ajo tha se ata po flisnin me zë aq të lartë aq sa mund të dëgjonte emrat e tyre, të cilët i përfshiu në mbishkrimin e videos.

Në një tjetër video, ajo përfshiu një imazh të sediljeve bosh të çiftit. “Ata përfunduan në banjë”, shkroi ajo në një mbishkrim.

Disa përdorues të TikTok duartrokitën posterin origjinal, duke lënë komente lavdëruese se kishin ndihmuar një grua mbi të vërtetën e burrit të saj. Të tjerët ishin më skeptikë, dhe shumë e kundërshtuan me atë që dukej të ishte një trend në rritje në mënyrën se si njerëzit përdorin mediat sociale.

Brooke Erin Duffy, profesore e asociuar e komunikimit në Universitetin Cornell që hulumton mediat sociale tha: “Ne po e kthejmë kamerën edhe te njerëzit e tjerë, jo vetëm tek jeta tonë”

Dr. Duffy e quajti këtë fenomen "mbikëqyrje e imagjinuar", ndjenja se çdo gjë që bëni në çdo kohë, pavarësisht sa beninje, mund të regjistrohet dhe përdoret kundër jush. “Kufijtë mes personales dhe profesionales, mes të famshmëve dhe të zakonshëmve janë zhdukur”, tha ajo, duke vënë në dukje faktin se disa përdorues harruan se subjektet e këtyre videove ishin njerëz të vërtetë.

Tamika Turner, një kreatore përmbajtjesh në Brooklyn, postoi një përgënjeshtrim ndaj videos së avionit në TikTok, duke kritikuar ata që brohoritnin në video dhe kërkonin detaje personale rreth burrit dhe familjes së tij.

Në një intervistë telefonike, zonja Turner pyeti veten nëse disa përdorues të mediave sociale po përdornin të ashtuquajturën llogaridhënie si maskë për qëllime më të këqija.

“A jemi ne përgjegjës ndaj njerëzve që kemi dëmtuar, apo jemi përgjegjës ndaj internetit në përgjithësi?”

Në vitin 2022, në kulmin e alarmit rreth mpox, një sëmundje virale që mund t'i shkaktojë njerëzit të zhvillojnë një skuqje të dhimbshme, Lilly Simon u filmua në mënyrë të fshehtë gjatë udhëtimit të saj në metro në qytetin e Nju Jorkut.

Zonja Simon ka neurofibromatozë të tipit 1, një gjendje gjenetike që shkakton rritjen e tumoreve në mbaresat e saj nervore. Personi që e filmoi e postoi videon në internet dhe akuzoi zonjën Simon se kishte mpox. Komentet për videon tashmë të fshirë varionin nga shqetësimi deri te kërcënimet me dhunë.

Në vitin 2018, një grua në një fluturim postoi drejtpërdrejt në Twitter ndërveprimet midis një burri dhe një gruaje të ulur pranë saj, duke përdorur hashtagun #PlaneBae për të kronizuar atë që ajo besonte se ishte një takim i lezetshëm. (Ajo madje përfshiu foto, me fytyra të paqarta.)

Historia e çiftit përfundimisht mori rrugën e saj në emisionin "Sot".

Burri, një ish-futbollist profesionist, u shfaq në shfaqje, duke ofruar detaje rreth përvojës dhe duke shtuar se ai po planifikonte të takohej sërish me shoqen e saj ngjitur në sedilje. Gruaja ne anën tjetër nuk ishte dakord për intervistën.

Klipe si këto më sipër thuajse kurrë nuk ofrojnë historinë e plotë, por ato priren të përhapen shpejt në internet - si rezultat i një ekonomie të vëmendjes, në të cilën përmbajtja që përcjell inat është shpesh një rrugë e shpejtë drejt shpërblimit algoritmik.

“Mendoj se dëshira për angazhim është moralisht neutrale, por disa krijues e bëjnë këtë përmes ndërtimit të komunitetit dhe të tjerë e bëjnë atë përmes tronditjes dhe zemërimit,” tha znj. Turner.

“Ku dikush nxjerr një përmbajtje negative, ata do të vijojnë ta bëjnë” tha ajo. "Sepse ‘bisha’ duhet të ushqehet vazhdimisht” nytimes


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë