Rend dhe Ligj

Asgjësohen 11 mijë bimë kanabis sativa, operacion i përbashkët mes policisë shqiptare dhe asaj malazeze

Policia e Malit të Zi dhe Policia e Shtetit shqiptar kanë ndërmarrë një operacion të përbashkët kundër kultivimit të kanabisit të koduar ‘Bjeshkët”.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, ndërmjet Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtorisë së Kufirit dhe Policisë së Malit të Zi u bënë publike detaje nga ky operacion antikannabis, në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

“Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Territor i pastër”, nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Policinë e Malit të Zi, Forcën e Sigurisë Kombëtare dhe me Njësinë Speciale “RENEA”, u finalizua operacioni policor i koduar “Bjeshket”, gjatë të cilit u bë asgjësimi i 11 358 bimëve narkotike të dyshuara cannabis sativa, të kultivuara në 3 parcela, si dhe kapja në flagrancë e autorit të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve, shtetasit M. G., 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër. Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pushkë dhjetëshe, me municion dhe 1 armë gjahu çifte që posedoheshin pa leje”, u bë me dije gjatë konferencës për mediet.

Drejtuesot e policisë vlerësuan se ky model bashkëpunimi tregon dhe një herë marrëdhëniet shumë të mira mes dy policive, si dhe besimin  për të shkëmbyer çdo informacion në luftë ndaj krimit.

Nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në funksion të këtij plani operacional, që nga muaji janar i vitit 2024, deri sot, janë asgjësuar 249 834bimë dhe fidanë cannabis sativa, si dhe janë evidentuar 242 raste të kultivimit, për të cilat janë referuar materialet për fillimin e procedimeve penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Fokusi i punës së strukturave të DVP Shkodër nuk është përqendruar vetëm tek asgjësimi i bimëve narkotike, por dhe te goditja e veprimtarive kriminale që kanë të bëjnë me shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe me trafikun e këtyre lëndëve.

Gjatë kësaj periudhe janë goditur një sërë rastesh që kanë të bëjnë me shpërndarjen e lëndëve narkotike si kannabis sativa, çokollatë dhe drogave të forta.

Po në funksion të këtij plani operacional, janë zhvilluar takime me të gjithë banorët e këtyre zonave, ku ka pasur informacione se do të ushtrohet kjo veprimtari kriminale dhe iu kemi bërë të qartë se kjo veprimtari nuk do të tolerohet nga ana jonë.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga ky operacion i përbashkët me Malin e Zi.

Ai deklaron se “bashkë me kolegun tim, Ministrin e Brendshëm të Malit të Zi, Danilo Šaranović kemi ndjekur dhe përgëzojmë Operacionin e përbashkët të dy policive tona kundër kultivimit të bimëve narkotike në një zonë pranë kufirit mes dy vendeve tona”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë