Nga Gazeta 'Si'- Para nisjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe kreu i PS tregoi disa detaje në lidhje me atë se çfarë do të diskutohet në takimin e sotëm me dyer të mbyllura.
Rama deklaroi për mediat se në fokus do të jetë riorganizimi i partisë dhe nënvizoi se është i vetëdijshëm se është e nevojshme një hapje e madhe e partisë.
“Kjo është një mbledhje pune, raportimesh dhe diskutimesh lidhur me hapat e tjerë që do të ndiqen në funksion të objektivit për të riorganizuar PS dhe për ta bërë gati për fitoren e radhës”, tha Rama.
I pyetur nëse do të ketë ndryshime apo ndëshkime për ata që nuk e kanë bërë mirë punën, Rama tha se do të këtë riroganizim dhe lëvizje, pasi fjala ndëshkim siç u shpreh ai “nuk i shkon organizatës politike” që ai drejton.
“Nuk kemi asnjë plan për të bërë ndryshime, sot jemi për të bërë një analizë edhe për të marrë veprime të tjera”, tha Rama.
Rama refuzoi t’i përgjigjet pyetjes së gazetarëve në lidhje me akuzat e bëra nga Arben Ahmetaj se e kanë kërcënuar me jetë.
Pyetje: Është e vërtetë që e keni kërcënuar Ahmetajn siç ai pretendon?
Rama: PS është në një proces të rëndësishëm dhe ne jemi të vetëdijshëm që është më e nevojshme se asnjëherë më parë një hapja e madhe e partisë dhe një përfshirje sa më e gjerë e të gjithë atyre që kanë dëshirën dhe nevojën e brendshme të kontribuojnë dhe kërkojnë hapësirën e tyre me të drejtë.
Rreth 400 anëtarët e Asamblesë, ministrat dhe deputetët do të jenë pjesë e takimit të sotëm me dyer të mbyllura të Asamblesë së PS.
Në një njoftim gjatë ditës së djeshme, anëtarëve iu komunikua se pjesëmarrja në këtë mbledhje është e detyrueshme dhe mungesat do të konsiderohen të pajustifikuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.