Nga Gazeta Si – Numri 1 i Botës, Aryna Sabalenka, konsideron “jo të drejtë” që turneu profesional i tenisit për femra lejon sportistet transgjinore të konkurrojnë në turnetë “WTA”.
Duke u shfaqur në emisionin e Piers Morgan, bjellorusja u pyet nëse ajo ndante të njëjtin mendim me ish-numrin 1 të Botës, Martina Navratilova, e cila kundërshton pjesëmarrjen e femrave transgjinore në turnetë “WTA”.
“Është një pyetje e ndërlikuar,” tha Sabalenka. Nuk kam asgjë kundër tyre, por mendoj se ato ende kanë një avantazh të madh ndaj femrave biologjike. Dhe mendoj se nuk është e drejtë për një femër të përballet me burra biologjikë” – shtoi Sabalenka, e cila në fund të Dhjetorit do të përballet me Nick Kyrgios në një ndeshje ekzibicioni të quajtur ‘Beteja e Sekseve’ në Dubai.

Pjesëmarrja e femrave transgjinore në turnetë “WTA” lejohet nën kushte të caktuara, një prej të cilëve është që përqendrimi i testosteronit në gjakun e tyre të ketë qenë nën 2.5 nanomol për litër gjatë dy viteve të fundit.
Ato gjithashtu duhet t’i paraqesin “WTA” një deklaratë të nënshkruar që vërteton identitetin e tyre gjinor si femër ose jo-binar.
Në praktikë, aktualisht asnjë femër transgjinore nuk po luan një rol kryesor në “WTA Tour”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




