Drejtësia

Artur Meçollari sërish në SPAK, jep shpjegime për bazën ushtarake të Shëngjinit

Gazeta Si – Ish-zëvendëskomandanti i flotës detare Artur Meçollari ka qenë këtë të mërkurë në SPAK për herë të dytë brenda 4 ditësh.

Por nëse herën e parë ai dha shpjegime për tjetërsimin e pronave detare në Sarandë, sot ka dhënë detaje për ndërtimet që janë bërë brenda zonës ushtrake të Shëngjinit.

Meçollari, mësohet se ka deponuar mbi ish-shefin e shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj aktualisht President i Republikës.

“Sot jam thirrur për shkak të padisë së dytë që kam bërë. Bazën detare të Shëngjinit. Për këtë është i paditur Begaj dhe disa zyrtarë të tjerë. Këta kanë dhënë leje për ndërtimin e një pallati 4-katësh dhe privatizimin e zonës në pronat ushtarake”, – tha ai.

Ish zëvendës shefi i forcave detare, ka akuzuar në mars të 2021 të gjithë zyrtarët e lartë, përfshirë edhe ish ministren e Mbrojtjes asokohe, Olta Xhaçka, presidentin Begaj dhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, Bardhyl Kollçaku (aktualisht deputet i PS).

Pak ditë më parë u thirr në SPAK edhe vetë Xhaçka, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në e pozicionit që ka pasur.

Denoncimi nga ana e Meçollarit u bë për dy prona, një në Shëngjin dhe një në Sarandë, të cilat sipas tij janë dhënë pa leje i janë dhënë privatit.

Pasi SPAK ka verifikuar këto të dhëna, ka sekuestruar fillimisht bazën detare të Limionit në Sarandë për të nisur hetimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë