Rrobat e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, si dhe nga 19 shtete të tjera, u ekspozuan në qytetin e Hagës, ngjarje e organizuar në bashkëpunim me Mukwege Foundation, Ambasada e Kosovës në Holandë dhe Komuna e Hagës.
Instalacioni është vepër e artistes Alketa Xhafa Mripa dhe titullohet “Thinking of You”.
Ai shpreh kujtimin dhe solidaritetin për të gjitha të mbijetuarat e dhunës seksuale në konflikte dhe simbolizon jo vetëm dhimbjen dhe vuajtjen, por edhe forcën dhe kurajën e jashtëzakonshme që viktimat kanë treguar.
Në ceremoninë e inaugurimit kanë qenë të pranishme edhe Vasfije Krasniqi dhe Shyhrete Tahiri, dy prej të mbijetuarave të dhunës seksuale. Prezenca e tyre u bë zëri i shumë viktimave që kërkojnë drejtësi pa pushim për krimet e kryera ndaj tyre nga shteti serb.
“Vasfije dhe Shyhrete, me historitë dhe përvojat e tyre të trishta, na kujtojnë se drejtësia dhe njohja e këtyre krimeve është detyrë e përhershme e njerëzimit”, u shpreh Përparim Rama.
Kryebashkiaku i Prishtinës theksoi përmes postimit të tij se, ky event në Hagë, Qyteti Ndërkombëtar i Paqes dhe Drejtësisë, është një thirrje e fuqishme për drejtësi dhe një përpjekje për të mos lejuar që zërat e të mbijetuarave të heshten. (ATA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.