Art dhe Kulture

Artisti shqiptar që pikturon… me kafe: Si nisi kjo rrugë e pazakontë

Nëse realizimi i një pikture me bojëra të ndryshme është normale për dikë që ka studiuar te Universiteti i Arteve të Bukura, të pikturosh me kafe rrallë ndeshet në rrethin e artistëve dhe në atmosferën e arteve pamore në vendin tonë.

Ndoshta kërkon një lloj talenti dhe disipline që pak njerëz i kanë.

Një talent i tillë është David Kryemadhi, një djalë nga Durrësi, i diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura të Breres (Milano) në Itali.

Arti i ka dhënë atij hapësirën, për ta ushtruar atë në një formë tjetër, duke pikturuar me kafe, në një teknikë që vazhdon ta përsosë me kohën.

Me këtë mënyrë të pikturuari, artisti ka zgjuar kureshtjen e shumë njerëzve që kërkojnë të jashtëzakonshmen tek e zakonshmja.  

“Idenë se kam marrë askund, por ka ndodhur rastësisht gjatë periudhës së arsimit në Itali ku dhe mësova ta shijoja kafen. Një ditë duke pirë kafe në klasë gabimisht derdha filxhanin në letër dhe njolla që kafja la në letër atë moment më bëri ta dashuroja dhe të eksperimentoja me të në vazhdim”, rrëfen hapat e parë Davidi për Gazetën “Si”, çastin kur është “takuar” me këtë ide të pikturuari.

Artisti David Kryemadhi gjatë procesit të punës

Duke nisur të përhapte kafen në letër e të eksperimentonte me të në forma të ndryshme artistike, ai kuptoi që kjo lloj forme i dha mundësinë ta shtrijë artin e tij në një tjetër sferë, atë meditative, “art terapi” siç e quan ai.

“Për mua të pikturoj me kafe është një formë meditimi ku lëvizjen e dorës time për të lënë atë lloj forme dhe ndjesia me kafe në letër e komandon më shumë zemra se sa truri. Është një ndjesi shumë e veçantë dhe një forme art terapie dhe meditimi në të njëjtën kohë”.

Marrëdhënien artistike dhe dashurore me kafen që e zbuloi që në vitet e para të arsimit në Itali, ai vijon ta ndjekë këmba-këmbës e ta ushqejë çdo ditë e më shumë.

“Me këtë lloj forme arti kam rreth 8 vite që merrem dhe punimet më të veçanta janë të titulluara: ‘Zemra’ 150×200 kanavacë, ‘Mos’ 150×200 kanavacë, dhe së fundmi një graphic novel i ilustruar i gjithi me kafe dhe mix media i titulluar: ‘Curse of the Katana’”, vijon ai për Gazetën “Si”, ndërsa i mëshon edhe faktit që periudha studentore në Itali kanë ndikuar në këtë rrugëtim ndryshe në art.

Në gjithë zinxhirin e punëve të tij, mund të kuptosh që edhe përmes kafesë ai arrin të paraqesë me finesë çdo tipar të portreteve të tij. Davidit kafja i sjell emocione të pazakonta, të cilat ngjallin shqisat dhe ndërgjegjen e tij e këto të dyja duke u mbështetur edhe tek intuita e vet e kanë ndihmuar t’u jap jetë një sërë portreteve.  

Edhe pse për të, ky është një pasion i hershëm që lindi në vitet studentore, ai me talentin dhe kreativitetin e tij do të vazhdojë ta pasurojë.

Mjetet e punës

“Kam hapur disa herë ekspozita personale dhe kolektive. Mendoj të hap sërish në vitet në vazhdim”.

Lidhja e tij me kafenë e shoqëron në çdo frymëmarrje të tij dhe duket se portretet e realizuara në këtë mënyrë, ndryshe nga ç’jemi mësuar të shohim në atmosferën tonë pamore, sipas artistit do të pësojnë një proces zhvillimi.

“Pasi e njoha gjatë studimeve të mia këtë mrekulli (kafen) u dashurova me të, dhe do kemi rrugëtim të gjatë bashkë me punë të reja”.

Tablotë që artisti i ka ndërtuar i vetëm në atë botën e tij të krijimit, nga ku jo vetëm gjente paqen, por edhe kuptimet e jetës, të emocionojnë e të bëjnë t’i sodisësh gjatë.  

Ai e sheh çdo gjë në spektrin emocional. Edhe nga publiku nuk veçon fjalë, por përjetime.

“Komenti më i veçantë që kam marrë nuk është i përshkruar në fjalë, por një gjest shumë i fortë, një buzëqeshje e shoqëruar me një përqafim”, dhe shton se i fton njerëzit të ulen përballë tij dhe “piktura që u bëj, shërben edhe si terapi për ta”.

Përveç kafes, Davidi përdor edhe teknika të tjera në letër dhe gjithashtu po angazhohet në lindjen e një studioje që merret kryesisht me artin digjital.

“Teknika të tjera që përdor janë: bojëra uji në letër dhe kanavacë, akrilik në kanavacë, comics, ilustrim digjital, anime style, 2d animacion, mix media, etj.”, përfundon ai.

Edhe në të ardhmen, David Kryemadhi është i bindur që do të vijojë të nxisë brezat të ndiejnë magjinë e këtij arti e pse jo të rrugëtojnë në universin e pafund të tij…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë