Art dhe Kulture

Artistët e TKOB me operetën ‘Karnavalet’ në skenën e Teatrit të Korçës

Nga Gazeta Si – Opereta “Karnavalet” do të vijojë të jetë në skena të tjera për publikun.

Vepra e shkruar nga kompozitori Avni Mula dhe me regji të sopranos Inva Mula u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit pas 45 vitesh në muajin shkurt, por pas Tiranës opereta “Karnavalet” do të jetë dhe në skenën e teatrit të qytetit të Korçës.

Drejtoresha e teatrit, Zamira Kita, shprehet se opereta “Karnavalet” do të shkojë në skenën e Korçës me interpretimin e shkëlqyer të artistëve të TKOB.

“Një ngjarje e madhe artistike! Shfaqet në Korçë opereta ‘Karnavalet’! Vepra e cilësuar si vlerë e çmuar e repertorit tonë kombëtar vjen në teatrin e Korçës nën interpretimin e shkëlqyer të trupës dhe solistëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me regji të artistes së madhe Inva Mula”, shprehet Kita në një reagim të saj në rrjete sociale.

Shkruar nga Avni Mula, opereta “Karnavalet” është me libret të Luigj Gurakuqit. Në Tiranë opereta u shfaq katër net për publikun, ndërsa në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës do të jetë më datë 4 mars.

“Opereta ‘Karnavalet’ e zgjedhur për gjallërinë që përcjell kjo festë, linjën e bukur të dashurisë, ‘pazaret e krushqisë’ dhe shëmbëllimin e familjeve borgjeze korçare, e ka zanafillën e saj në Korçë, aty ku janë lënë gjurmë të rëndësishme celuloidi të kulturës artistike dhe nga ku u frymëzua artisti i madh, Avni Mula”, thuhej në njoftimin e TKOB.

“Karnavalet e Korçës”, një vepër e repertorit kombëtar, që i ka rezistuar kohës, tingëllon e freskët dhe aktuale jo vetëm për nga tematika, por edhe nga rrjedhshmëria e melodive aq të dashura.

Drejtoresha e TKOB, Abigeila Voshtina do të shprehej se kjo vepër mishëron kulturën e aristokracisë shqiptare.

“Zgjodhëm ‘Karnavalet’ për të hapur sezonin artistik të Operës për vitin 2023, në Teatrin e Operës dhe Baletit, që të përcjellim bukur te publiku kulturën e aristokracisë shqiptare të asaj kohe. Me regji të Inva Mulës, e zgjedhur për mishërimin në skenë të notave të pentagramit të të atit, artistit të madh dhe ‘Nderit të Kombit’ Avni Mula, si dhe të kujtimeve të një familje, e cila vishet me një familje të Nikollaqit (personazh në Operetë)”, do të shprehej Voshtina për Gazetën “Si”.

Ngjarja zhvillohet rreth viteve ’30 dhe pasqyron mentalitetin e një familjeje borgjeze, e cila dëshiron të blejë me para një dhëndër për vajzën e tyre të vetme. Dhe nga ana tjetër kemi ndjenjën e thellë të dashurisë ndërmjet Nastës dhe Lonit, e cila ndërthuret dhe vijon natyrshëm, gjatë veprës, që zhvillohet e gjitha në dy net dimri të qytetit të Korçës.

Komedia “Karnavalet e Korçës” e Spiro Çomorës ka provuar sukses të madh edhe në historinë e Teatrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë