Dosje

Artan Tafani hap ‘dosjen e vrasjeve’, nga Çajup Selimi te Albi Bashaliu dhe atentati i dështuar ndaj avokatit

Gazeta Si – Në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), Artan Tafanit, një nga të akuzuarit për vrasjen e biznesmenit Çajup Selimi në Tepelenë, ka rrëfyer në dëshminë e tij se për këtë krim ka marrë 25 mijë euro, ndërsa detajon edhe mënyrën si u zhdukën provat dhe lëvizjet pas vrasjes.

“Armën e hodha në Vjosë, ashtu siç na kishte udhëzuar Laerti. Edhe për celularët dhe rrobat na tha çfarë të bënim. Rrobat i dogjëm në një fuçi, më pas u nisëm drejt Memaliajt, duke kaluar përmes malit. Zbritëm në këmbë deri te një urë, ku hipëm në një furgon të rastit dhe u nisëm për në Tiranë. Gjatë rrugës, Laerti i tha Ligorit të shkonte në Korçë. Ne u ndamë te ‘Klubi i Shoferit’. Unë shkova me Laertin në një hotel në Astir”, rrëfeu Tafani.

Ai theksoi se Laerti ishte shumë agresiv në komunikim dhe nuk toleronte asnjë gabim. “Ishte me Lulzim Arapin. Më bërtiti pse mora xhaxhain në celular, jo në ËhatsApp. Më shau dhe më ofendoi. Një gabim të bëje, e lëshonte gojën”, tha Tafani.

Sipas dëshmisë së tij, shpërblimi për vrasjen iu dha një javë më pas. “Unë mora 25 mijë euro. Ligori nuk i mori, nuk ia dha Laerti”, tha Tafani.

Tafani tha se e ka qëlluar nga mbrapa në hyrje të pallatit, duke shkrepur tri herë armën. Ai u ndal te momentet më pas, duke treguar se më pas iku me vrap drejt burgut të Bënçës, ku u fsheh në ferra jashtë qytetit, ndërsa kishte me vete një pistoletë me silenciator.

“Pasi shkova tek pallati, po rrija ngjitur me hyrjen dhe dëgjova një makinë, një Benz që kishte ai. Isha ballë për ballë me të, kisha maskë Covid dhe një kapelë, ai më shikonte dhe pati si dyshim. U fut në hyrje të pallatit, u ngjit kat par kat 2. Unë isha nga mbrapa tij, ishte qeros dhe unë dija rrobat që kishte veshur atë ditë, të kuqe. Atë e qëllova nga mbrapa, tre herë e shkrepë e qëllova: një herë në shpatull dhe dy herë të tjera, por nuk di ku e kapa saktësisht”.

 “Ligorin e takova pas 1-2 orësh tek shtëpia e xhaxhait të Erisianit. Sipas planit që kishim bërë me Laertin, do na priste xhaxhai i Erisianit. Ligori fiku celularin, unë u fsheha në një shkëmb, kisha frikë, makinave të policisë po u vinin rrotull, unë e kisha për herë të pare”.

Artan Tafani u shpreh se ishte i frikësuar dhe në panik gjatë ngjarjes dhe se plani i tyre për të dalë nga zona përfundoi me probleme dhe grindje mes bashkëpunëtorëve.

“Tek shtëpia erdhi dhe Ligori, pastaj ia çliroi armën nga duart, si duket kishte rënë edhe ai në ferra. Laerti u acarua me Ligorin dhe më tha: ‘Mua si të la ai? Vetëm ty do t’ja tregoj unë atij.’”

Sipas tij, arsyeja pse ishte vrarë Çajup Selimi ishte sepse kishte ngacmuar nënën e Erisiano Abedinit. “Mora vesh nga Laerti se ishte vrarë, pasi Erisiano kishte pasur probleme dhe konflikte me të”, u shpreh ai.

Po ashtu ai ka rrëfyer edhe për vrasjen e Fridman Xhaferrit, i cili u gjet i pajetë në rezervuarin e Gjançit. Para ngjarjes, ai thotë se bashkë me Laert Haxhiun dhe Lulzim Arapin janë takuar në Pogradec me Bledar Berberin dhe Mariglen Topuzin.

“Laerti kërkonte gjatë rrugës një vend ku do të hidhte trupin. Edhe Bledari kishte chat dhe email. Pamë një rezervuar. Gjatë rrugës bënin edhe shaka; Marigleni i thoshte Laertit: “O lala, ma le ta bëj unë, të mësoj dorën””, tha ai në gjykatë.

Gjatë kësaj kohe, Artan Tafani pretendon se ishte “si i mpirë”, pasi sa kishte bërë vrasjen në Tepelenë.

Tafani, ka dëshmuar ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme edhe detaje lidhur me vrasjen e Albi Bashaliut nga grupi i Laert Haxhiut.

Albi Bashaliu

Tafani deklaroi se vrasja e Bashaliut do bëhej për nder për Lorenc Lalën, me qëllim për të marrë hak për djemtë e tij.

Ai tregoi më tej se Albi Bashaliu lëvizte me një makinë që shiste zogj dhe pula, teksa shtoi se pas vrasjes së tij, makina audi me të cilin ata do të largoheshin nuk u ndez, ç’ka bëri që autorët të përdornin automjetin e viktimës.

Sipas Tafanit, të gjithë anëtarët e grupit binin dakord me propozimet për vrasje që hidhte Laert Haxhiu, pasi sipas tij, ai ishte kapo i grupit dhe të gjithë i bindeshin.

Elton Mermali dhe vendi ku u vra

Tafani, rrëfeu këtë të mërkurë para togave të zeza në GJKKO edhe zanafillën dhe dinamikën e vrasjes së Elton Mermalit, me urdhër të Laert Haxhiut.

Tafani thekson se vrasja e Elton Mermali, i njohur ndryshe dhe si “Kinezi”, u bë porosi dhe udhëzime të Laert Haxhiut, pasi ky i fundit kishte bindjen se Elton Mermali ishte i përfshirë në vrasjen e xhaxhait të tij.

“Laerti na tha qe do më sillni Elton Mermalin ka qenë i bandës Aldo Bares, donte ta vriste. Gjatë kohës që ishte në Greqi, thontë për Mermalin se ai sa kishte dalë nga burgu ishte përdorues”.

Ai tregon se e gjeti Eltonin para shtëpisë së tij në Lushnje. Me një skemë të thjeshtë, e ftoi që ta shoqëronte për të marrë një “mall të premtuar”.

Nëpër ferra Tafani e qëlloi me një plumb në trup, ndërsa Lulzim Arapi që e shoqëronte, e ekzekutoi me dy të tjerë, me armë me silenciator që i kishte sjellë vetë më parë.

“Si përfundim parkoj makinën dhe e gjej përpara shtëpise së tij. Hajde i them unë këtij më ndiq nga mbrapa. Mar makinën unë dhe kthehem, me ndjek ky mua. Më hipën në makinë dhe ikëm te shtëpia ime. Lulzimi ishte te shtëpia ime me priste. I them unë ketij marim Lulzimin dhe nje shokun tim dhe ikim marim mallin që te kam premtuar. Lulezimi u nis përpara mbrapa, i thash e kemi fshehur te ferrat.

Sa mbërritëm aty, i gjuajta unë atij nje tek plumb sa vajtëm dhe ika me vrap. Armën ma dha Lulzim Arapi ishte me silenciator. I gjuan me dy plumba të tjerë dhe Lulzim Arapi. Isha 5-10 metra afër kur i gjuajti Lulzimi. Hipëm në makinë dhe ikëm, unë isha në timon. Mere armën i them une dhe ccmontoje, sa dolën në rruge kryesore Peqin-Elbasan”, – tha ai.

Pas vrasjes, teksa ishin në arrati drejt Peqinit, ndodhi dhe një incident grotesk: Lulzimi, ndërsa po çmontonte armën për të fshehur provat, u plagos vetë në këmbë nga pakujdesia.

Silenciatorin dhe fishekët e mbetur i hodhën te ura e Rrogozhinës për të zhdukur gjurmët. Tafani thotë se e ka mjekuar vetë në shtëpi.

Artan Tafani dhe avokati, Adriatik Guri

Artan Tafani ka rrëfyer në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar edhe tentativën për të vrarë avokatin Adriatik Guri, i cili njihet edhe me mbiemrin Doga.

Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, Laert Haxhiu donte ta eliminonte avokatin sepse ndihmonte kundërshtarin e tij.

Tafani pretendon se atë kohë, Haxhiu dhe bashkëpunëtori i tij, Lulzim Arapi kishin qasje në kamerat e policisë.

Pavarësisht se pretendon se e ka rujtur avokatin, Tafani dëshmoi në gjykatë se nuk mund ta bënte krimin pasi Gurin e ka kushëri. Për këtë arsye,

“Mora një shtëpi me qira në Lushnje. Qëllimi ishte të vrisnim avokatin Adriatik Guri. Unë e ruaja avokatin, ndërkohë që unë e kam kushëri. Laerti donte ta vriste, sepse sipas tij, avokati ndihmonte hasmin e tij. Ata kishin kamerat e policisë, kishin kodin, dhe më ruanin edhe mua. Lulzim Arapi erdhi në shtëpinë ku isha dhe solli një pistoletë tip CZ me dy silenciatorë. Vazhdonim ta ruanim avokatin. Unë rrija aty te lokali ku vinte edhe ai, por i thashë që nuk mund ta bëja, sepse ishte kushëri me mua. E lamë që do ta bënte Lulzimi. Një natë na iku ai. Unë u përfshiva nga frika, jo për lek.  Laerti tha: ‘Do të bëhet’”, dëshmoi Tafani.

Tafani u arrestua në shtator të vitit 2023, pasi grabiti me armë një pikë këmbimi valutor në zonën e Astirit.

“Zbërthimi” i tij para prokurorëve ka zbuluar një sërë ngjarjesh kriminale dhe anëtarë të grupit të Haxhiut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë