Nga Gazeta Si- Profesioni i saj i parë ishte arkitektura, profesion të cilin nuk e ushtroi thuajse asnjëherë. Shpejt zbuloi pasionin për gazetarinë, dhe kryesisht atë të kulturës.
Në Podkastin “T’pa Thana” në Gazetasi.al, gazetarja Arta Marku tregon se ka zgjedhur gazetarinë duke ndjekur zërin e saj të brendshëm, atë që e mbushte shpirtërisht.
Por, edhe pse e ka lënë pas dore, ndoshta për shkak të kohës, Marku është edhe një shkrimtare.
E pyetur se çfarë mendimi ka për letërsinë shqipe dhe kryesisht shkrimtarët e rinj, Marku tha se njerëzit që merren me letërsi janë në hije sepse vetë leximi nuk është më në modë.
“Është për të ardhur keq që njerëzit e letërsisë apo dhe ato që promovojnë letërsinë janë në hije. Është një problem universal dhe po ndodh kudo, jo vetëm tek ne”, thotë Marku.
Duke u kthyer tek gazetaria, që për Markun është profesioni i parë por edhe pasioni i madh, ajo ka folur edhe për gazetarët e rinj të kulturës, duke munduar të mos jetë paragjykuese por edhe të thotë atë që mendon dhe atë që ka vënë re.
E pyetur nëse bëhet gazetari e mirë kulture, Marku tha se gazetarisë sot i mungon pasioni.
“Flas për gazetarët e rinj. Ne gazetarëve të vjetër na ka bashkuar pasioni pasi donim ta bënim këtë gjë dhe donim ta bënim mirë. Kryesisht jemi gazetarë që kemi vendosur të jemi të tillë, disa edhe duke hequr dorë nga një profesion tjetër. Nuk dua ti gjykoj por gazetarët e rinj më duket sikur nuk punojnë me veten. Unë bëj një punë kërkimore para se të marr dikë në intervistë. Sigurisht ka dhe përjashtime por kryesisht sot gazetarët e rinj të kulturës nuk kanë pasionin për atë që bëjnë”, thotë Arta Marku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



