Lajme

Arta Marku: 700 CD përgjime për dosjet 339 e 184. Murrizi: Prokuroria si Call Center

Kryeprokurorja Arta Marku raportoi punën e institucionit që drejton për vitin 2018 para Komisionit të Ligjeve dhe atij të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit. Dosjet 339 dhe 184 dominuan në këtë seancë të përbashkët të dy komisioneve.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj akuzojnë mazhorancën se po i zvarrit qëllimisht këto dy dosje, që sipas opozitës provojnë bashkëpunimin me krimin në blerjen e zgjedhjeve. Në dosjen e parë PD thotë se përfshihet drejtpërdrejtë Vangjush Dako, ndërsa në të dytën përmend emrin e Damian Gjiknurit për procesin zgjedhor për Bashkinë e Dibrës.

Arta Marku pranoi se për këto dy dosje ka patur zvarritje, por nënkuptoi se kjo zvarritje ka ndodhur për shkak të volumit të madh të përgjimeve që duhen dëshifruar.

“Përgjimet vazhdojnë të jenë në hetim. E kam shprehur disa herë, që aty ka problematikë, dosjet janë zvarritur, ka pasur vetëm përgjime, që nuk janë zbardhur. Dosja 339 po hetohet nga 2 prokurorë dhe 11 oficerë, aty ka video të patranskriptuara. Ka pasur 700 CD dhe video të patranskriptuara dhe po punohet për të dhe do ketë vendimmarrje. Dosja 184 në të njëjtën gjendje, e regjistruar 2 vjet vetëm përgjime. Pas dy vjetëve janë regjistruar emrat e disa personave në hetim, do të ketë vendimmarrje të shpejtë”, deklaroi ajo.

Kryeprokurorja deklaroi se dosjet në fjalë nuk po hetohen për akuzën e shit-blerjes së votës, por për akuzat e grupeve kriminale.

Deputeti Myslim Murrizi ironizoi me volumin e madh të përgjimeve dhe mungesën e një proces konkret nga ana e organit të akuzës për këto dosje.

“Janë përgjuar prej vitesh thotë por nuk janë transkriptuar. Janë përgjuar kot për qejf këta? Është si call center Prokuroria e Përgjithshme, me ju apo paraardhësin tuaj. Përgjohen për të bërë videoklipe edhe rrinë aty, çfarë të dali ndonjë gjë ta zbardhim po nuk doli ajo që nuk kemi qejf ne, e lëmë CD të flejë. Për 700 CD, nuk e ka marrë kush mundimin, nuk e di për sa vite janë bërë, por ia paska kaluar Kinostudios nga ’48, me filmat që kanë bërë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë