Art dhe Kulture

Arsyeja pse ‘Mendimtari’ duhet quajtur ‘Vajtuesi’

Alastair Sooke / BBC  - Ngjan sikur fle, tiparet e saj të bukura pushojnë butë mbi njërën dorë. E megjithatë, kur artisti flamand Anthony van Dyck krijoi një shëmbëllesë të bukurisë aristokratike Venetia Stanley, Lady Digby, më 1633-shin, ai po pikturonte një kufomë prej dyditësh,mbështetur në shtratin e saj të vdekjes.

Zërat ngulmojnë se Digby, një alkimist i zellshëm, ishte arkitekti i vdekjes së të shoqes.

I mbushur me hidhërim pasi zbuloi se e shoqja kish vdekur beftë atë natë, në moshën 33-vjeçare, i shoqi i Venetia-s, Sir Kenelm Digby, kërkoi Van Dyck-un, artistin e oborrit të mbretit Karli I, për ta pikturuar përpara se “kirurgët dhe gratë” të mbërrinin.

Anthony van Dyck e pikturoi Venetia, Ledi Digby-n, në Shtratin e Saj të Vdekjes më 1633-shin, dy ditë pasi kishte vdekur në gjumë (Credit: Alamy)

Me ndjeshmëri të lartë, Van Dyck iu fut punës, duke shpërfillur  realitetin e frikshëm të vdekjes, si edhe  sulmin e  shpejtë të  rigor mortis (ngurtësimi i vdekjes). Përqark qafës së zbehtë e të hijshme të Venetia-s, ai vendosi një varg perlash. Ndërkohë, buzë çarçafëve të saj, vendosi një lule delikate ngjyrë rozë, së cilës po i binin petalet. Sipas Digby-it, i cili besoi se piktura e Van Dyck-ut, që  tani varet në Galerinë e Pikturave ‘Dulwich’ të Londrës, ishte “kryevepra” e artistit, duket  se trëndafili “vyshket shpejt, edhe ndërsa e kundron...një emblemë për të shprehur gjendjen në të cilën ndodhej trupi i saj.”

Edhe sot, zërat ngulmojnë se Digby, një alkimist i zellshëm, ishte arkitekti i vdekjes së të shoqes. Disa thonë se ai i dha një gatesë prej gjaku nepërke, duke shpresuar se do të konservonte bukurinë e saj. Të tjerë hamendësojnë se e vrau i shtyrë nga xhelozia – pas së gjithash, njëherë ai vërejti, duke nënkuptuar imoralitetin e saj të njohur, se “një burrë i mençur dhe epshor, mund ta bëjë një grua të ndershme edhe nga bordelloja”. Në një lëvizje të rrallë, Kurora Mbretërore urdhëroi të kryhej autopsia, megjithëse rezultatet nuk  mbijetuan.

Si në jetën publike ashtu edhe në rrethin e ngushtë, Digby shfaqej i shkatërruar nga vdekja e Venetia-s. Ai i shkroi të vëllait se portreti në shtratin e vdekjes pikturuar nga Van Dyck “është e vetmja shoqëri e vazhdueshme që kam tani. Qëndron të gjithë ditën e lume përballë tavolinës dhe karriges sime...dhe gjithë natës kur shkoj në dhomën time e vendos pranë shtratit dhe me një dritë të mekur qiriri, mendoj se e shoh të vdekur vërtet.”

Me fjalë të tjera, nëse letra e Digby-it duhet besuar, piktura në vaj me përmasa modeste më pak se një metër katror, e Van Dyck-ut, i  ofroi ngushëllim vejanit zemërthyer. Nëse trëndafili në pikturë është një “emblemë” e përkohshmërisë së jetës, atëherë piktura vetë, është emblematike e asaj çka mund ta quajmë arti i vajtimit.

Vajtimi dhe skalitja

Përtej monumenteve funebre  në kisha, të cilat ishin kryesisht përkujtues, vajtimi në artin Perëndimor përpara epokës së Van Dyck-ut, gjatë Mesjetës dhe Rilindjes, ishte përgjithësisht ruajtja e pikturave dhe skulpturave religjioze,  të cilat fokusoheshin në historinë tragjike të vdekjes së Krishtit.

Një kurator i ekspozitës së re të Rodin-it, ka sugjeruar që skulptura e tij e famshme “Mendimtari” të quhet “Vajtuesi”.

 “Pietà”, kryevepra drithëruese në mermer e Michelangelo-s në Bazilikën e Shën Pjetrit – e vetmja skulpturë që ai firmosi me emrin e tij, që përshkruan një Marie me vështrim të ëmbël e përkulur në trupin e pajetë të Jezuit – është veçanërisht prekëse dhe një shembull i mirënjohur, por shumë të tjerë mund të ofroheshin si të tillë.

Një pikturë e mikut Rilindës të Michelangelo-s, Sebastiano del Piombo, mbi të cilën Michelangelo-ja bashkëpunoi, më ka mbetur veçanërisht në mendje: ‘Vajtimi mbi Krishtin e Vdekur’ , i Sebastianos ( ( 1512-16), është sipas Galerisë Kombëtare, ku është shfaqur së fundi “i pari peizazh mbrëmësor,  me shkallë të gjerë, në histori.”  Qielli i ndriçuar nga hëna i shkon atmosferës së zymtë.

“Pietà” e Michelangelo-s në Basilikën e Shën Pjetrit shtë një version i mirënjohur i një prej imazheve të zakonshëm të katolicizmit: Maria vajton vdekjen e të birit (Credit: Alamy)

Sigurisht, tema tradicionale e Vajtimit të Krishtit është përshkruar nga shumë emra të famshëm të historisë së artit, nga Giotto dhe Mantegna te Rubens dhe Rembrandt.

Ata janë vetëm disa prej mijëra artistëve që, në shekuj, kanë mbërthyer vajtimin si subjekt, në disa forma. Në të vërtetë, arti i vajtimit është aq i gjithëpranishëm sa ndonjëherë harrojmë se është ajo çka po shohim: muratori i ekspozitës së re të Rodin-it në Muzeun Britanik gjeneroi tituj gazetash kohët e fundit kur sugjeroi se,  skulptura e famshme e francezit “Mendimtari” duhet në fakt të titullohet “Vajtuesi”. “Shihni me kujdes dorën dhe mjekrën”, ka thënë Ian Jenkins, një autoritet i artit të lashtë grek dhe  i veprave të Rodin-it , gjithashtu. “Nëse ai po mendohej, dora duhet të ishte e vendosur rreth mjekrës në pozë mendimtare. Por në këtë skulpturë, dora mban mjekrën dhe pikërisht  kështu pikturohej vajtimi në Greqinë e lashtë.”

Piktura vaj në dru e Arnold Böcklin –it, “Ishulli i të Vdekurve” i 1880-ës, frymëzuar nga mitologjia greke dhe që frymëzoi filmin horror me të njëjtin titull të Jacques Tourneur –it.

Shtypni fjalën “vajtim” në ndonjë motor kërkimi online të një muzeu ndërkombëtar dhe do gjendeni të përmbytur me rezultate. Në Britani, për shembull, një kërkim për termin në website-in  e Tate-it, nxori 143 vepra arti, duke ofruar një ndërlidhje të larmishme të përgjigjeve artistike të së njëjtës temë, me një shtrirje të gjerë në periudhat kohore.

Piktura pedante në vaj e John Everett Millais-it , “Ofelia” për të cilën modelja  Elizabeth Siddal pozoi në një vaskë për më shumë se katër muaj, është një shprehi e kremtuar figurative e vajtimit.

Në shekullin e 18-të, për shembull, ishte e zakontë për artistët ta shihnin vajtimin përmes lentes të dramave shekspiriane: vdekja e së bijës së mbretit Lir, Kordelias, ishte një nga subjektet e parapëlqyer.  Ndërkohë, në shekullin e 19-të, “Ofelia”, piktura pedante në vaj e John Everett Millais-it  (1851-52), për të cilën modelja Elizabeth Siddal pozoi në një vaskë për më shumë se katër muaj, është një shprehia  e kremtuar figurative e vajtimit- po aq edhe  një ikonë e këtij emocioni të fuqishëm, sa edhe kryevepra simboliste e artistit zviceran Arnold Böcklin “Ishulli i të Vdekurve”, (1880).  Ofelia përshkruan fisniken daneze nga ‘Hamleti’ i Shekspirit, e çmendur nga vajtimi për të atin e vrarë, pak përpara vdekjes së saj nga mbytja, pasi ra në “përroin lotues.”

Ian Jenkins nga Muzeu Britanik ka thënë se “Mendimtari” i Rodin duhet të quhet “Vajtuesi” për shkak se figura e tij e pushon mjekrën në grushtin e mbyllur. (Credit: Alamy)

Në fakt, vajtimi ishte një temë thelbësore për artistët gjatë epokës Viktoriane, ku mbretëroi një kulturë komplekse e vajtimit. Duke shkruar në ‘Arti i Vdekjes’ (1991) historiani i artit  Nigel Llewellyn vëren se “një kulturë spektakolare pamore e vdekjes” ishte një vulë dalluese e shekullit të 19-të – diçka të cilën koleksionet e ‘Tate’ e vërtetojnë gjerësisht. Terakota e 1877-ës nga Alfred Gilbert “Engjëlli vajtues” është, ashtu siç Ofelia, një tjetër shembull kuintesencial.

Sipas sondazheve tona të kërkimit në faqen online të Tate-it, artistët e shekullit të 20-të  u ndjenë po aq të joshur sa edhe pasardhësit e tyre Viktorianë për të mbërthyer vajtimin. Ndoshta shembulli më i mirë në Tate është “Gruaja Lotuese” e Picasso-s (1937), që lidhet me muralen e tij epike “Guernica” të të njëjtit vit, pikturuar gjatë Luftës Civile të Spanjës, në përgjigje të bombardimeve të qytetit bask nga forcat ajrore gjermane.

Një kryevepër tragjike, e ekzekutuar me një gamë të matur monokromatike që evokon pamjet e kronikave të mizorive, Guernica është shprehja përfundimtare e vuajtjes kolektive të shekullit të 20-të. Kishte qëllimin e një deklaratë shumë publike –por ka shumë shembuj të pikturave më private dhe intime të shekullit të 20-të me elementë të vajtimit: dëshmoni portretin e vogël të Lucien Freud-it për të ëmën, në vitin 1937, aktualisht i varur në ekspozitën e britanikes ‘Tate’ “Gjithçka tejet njerëzore” , që mbërthen shprehjen e vajtimit të saj, pas vdekjes së të shoqit dhe të atit të piktorit, Ernst-it.

Francis Bacon ka pikturuar një imazh të dashnorit të tij, George Dyer, i cili u vetëvra, në panelin e majtë të Triptikut Gusht 1972. (Credit: Getty Images)

Ndërkohë, Triptiku “Gusht 1972” i Francis Bacon-it, gjithashtu në ‘Tate’, përpiqet të shfaqë njëherazi sferën publike dhe private. Një nga të ashtuquajturit “Triptikë të Zinj” të Bacon-it është pikturuar pas vetëvrasjes së të dashurit të tij, George Dyer, i cili shfaqet në panelin e majtë . Kështu, triptiku qëndron si një kujtim personal i ankthshëm dhe i paharruar i vuajtjes së artistit, i cili shihet qartë  në të djathtë. Në të njëjtën kohë, vepra ka një cilësi të pakohë klasike: figurat e paqarta, që shtrëngohen përpara portalit të errët në qendër,  janë të mbushur me një domethënie simbolike universale.

Katarsis në kanavacë

Vajtimi universal është gjithashtu zemra e “Pasoja” një ekspozitë e ardhshme në ‘Tate Britani’, që eksploron kulturën e vajtimit gjatë Luftës së Parë Botërore në vitet ’20 dhe ’30. Emma Chambers, kuratorja e ekspozitës, argumenton se lufta shkaktoi një ndryshim të thellë në mënyrën sesi artistët e portretizuan vajtimin, ndërsa shekulli i 19-të u tërhoq në largësi. “Ndryshe nga vajtimi Viktorian, ku familjet përjetonin vajtimin individual”, thotë ajo,  “befas thuajse çdo familje në Europë ishte prekur.”

Ofelia e Millais-it është një nga përshkrimet më të njohura të artistit mbi një person buzë vdekjes (Credit: Getty Images)

Pasojë e kësaj, vijon ajo, ishte një përpjekje zyrtare, nga ana e qeverive, “për të krijuar  një kulturë të përshtatshme pamore për vajtimin.” Pamjet funebre, klasike e alegorike aq të dashura të Viktorianëve dolën nga moda. Në vend të tyre, trupa si Varret e Komisionit të Luftës së Komonuelthit promovuan një qasje më uniforme të dizajnit të varreve dhe memorialëve të luftës, duke u fokusuar në sakrificën e përbashkët, kombëtare, në vend të humbjes së individëve. “Rezultati ishte një gjuhë vizuale shumë e rregullt, simetrike dhe e kontrolluar,” thotë Chambers, “i larguar prej kaosit të plotë të betejave, me helmetat e braktisura dhe  trupat e zhytur në baltë”.

Historikisht,vajtuesit profesionistë janë shpërblyer për t’i udhëhequr njerëzit nëpër çastet e humbjes, duke i dhënë formë dhe duke gjeneruar vajtim - Taryn Simon

Memoriali i luftës ‘Cenotaph’ në rrugën e ministrive të Londrës, i skicuar nga Edwin Lutyens, është shembulli arketip i kësaj qasjeje të re: “Nuk ka figura, por një varr të zbrazët që mund të qëndrojë për çdo ushtar, ” thotë Chambers,  “Familjet në vaj mund ta përdorin si një simbol universal.”  (Credit: Taryn Simon/Hugo Glendinning/Courtesy Artangel)

Taryn Simon vuri në skenë “Pushtimi i Humbjes”, një performancë që përfshinte 21 vajtues profesionistë nga kultura të ndryshme (Credit: Taryn Simon/Hugo Glendinning/Courtesy Artangel)

Universialiteti i vajtimit është ende një temë nga e cila tërhiqen sot artistët bashkëkohorë. Në fillim të vitit, artistja amerikan Taryn Simon mori  kritika të pasura për instilacionin e saj “Pushtim i Humbjes”, vënë në skenë në një auditor të nëndheshëm në veri të Londrës. Për veprën, e cila e pati premierën në Nju Jork më 2016-ën, Simon ftoi 21 “vajtues profesionistë” nga e gjitha bota –si Shqipëria, Azerbajxhani, Ekuadori, Gana dhe Venezuela- për të performuar në qoshe të ndryshëm të hapësirës në qiell të hapur, ndërsa 85 njerëz të fortë nga audienca kishin lirinë të ecnin përreth, duke dëgjuar secilin.

 “Historikisht”, shpjegon Simon, “vajtuesit profesionistë janë shpërblyer për të udhëhequr njerëzit gjatë momenteve të humbjes, duke i dhënë formë dhe duke prodhuar vajtimin.” Ndërsa vepra prej gjysme ore ecën drejt kulmit, secili performues nis të rënkojë, murmurijë, ulërijë, të këndojë , të dënesë apo gulçojë, duke mbajtur traditën e kulturës vendase.

Shumë shpejt, të gjithë vajtimet e tyre të zellshme dhe ofsharëse shkrihen në një kakofoni primitive, që jehon jashtë  arkitekturës prej betoni, duke e nënshtruar  audiencën ndaj një sulmi trazues  për veshët.

“Ajo çka më intereson” , shpjegon Simon, “është se këta tinguj janë përtej gjuhës. Vajtuesit profesionistë përdorin gjëra si ligjërata e melodizuar, apo fjalë gjysmë të ulëritura –gjëra që nuk janë muzikë e as gjuhë.” Ndalet ajo. “Është një hapësirë e vështirë për t’u artikuluar, diçka që përballet apo edhe e ngatërron gjuhën.” Ashtu siç Simon thotë, ne jemi të gjithë  “të brishtë” kur përjetojmë vajin. “Gjërat bëhen anarkike.”

*Përktheu Suadela Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë