Sport

Arritjet e 2019-ës, nga Partizani kampion te rekordet e Rejës dhe Gega në histori

Futbolli, si zakonisht, zë pjesën kryesore në axhendën sportive të një viti kalendarik. Gjatë 2019-ës janë shënuar disa disa momente të rëndësishme të aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare në futboll, ku veçohen rikthimi i Partizanit kampion pas plot 26 vjetësh “agjërim”, si dhe dy fitoret e Kombëtares së Rejas me rekord golash, ndaj Islandës dhe Moldavisë. Por edhe sportet e tjera kanë sukseset e tyre dhe nuk mund të mungojë atletika me Luiza Gegën, apo dhe peshëngritja.

Partizani kampion

12 maji i 2019-ës është një datë e shënuar për Partizanin, njërin nga klubet më popullorë në vend. Pas 26 vitesh pritje, ekipi i kuq fitoi titullin e 16-të në histori. Duhej një i familjes, Skënder Gega, që ta udhëhiqte Partizanin drejt titullit të munguar prej një kohe të gjatë. Partizani e siguroi matematikisht titullin tri javë para mbylljes së kampionatit, pas fitores 2-1 në derbin me Tiranën. Edhe pse u shpall kampion, trajneri Gega u largua nga stoli i Partizanit, që në Europë nuk dha atë që pritej, duke zhgënjyer si në Champions, ashtu edhe në Ligën e Europës. Edhe ekipet e tjera shqiptare nuk lane gjurmë në kompeticionet europiane. Po në 2019-ën Partizani fitoi edhe Superkupën e Shqipërisë, pas fitores 4-2 ndaj Kukësit.

Kombëtarja feston fitoren 4-2 ndaj Islandës. Gazeta Si 31 dhjetor 2019

Fitoret e rralla të Rejas me Kombëtaren

Për Kombëtaren e Shqipërisë nuk ishte një vit i suksesshëm. Kuqezinjtë i mbyllën eliminatoret e Europianit 2020 në vend të katërt në Grupin H. Shqipëria mbeti pas Francës kampione bote, Turqisë dhe Islandës, ndërkohë që la pas Moldavinë dhe Andorrën. Në 10 ndeshje Shqipëria mori 13 pikë. Ish-trajneri Kristian Panuçi nuk mundi ta mbyllte kontratën me FSHF-në dhe vendin e tij e mori një tjetër italian, Edi Reja. Edhe pse nuk u bë ndonjë gjë e madhe me këtë trajner, loja e kuqezinjve ishte më stabël dhe ajo që vlen të veçohet janë dy fitoret me rekord golash të shënuar, nga 4, 4-2 ndaj Islandës në “Elbasan Arena” dhe 0-4 ndaj Moldavisë në fushë kundërshtare. Janë ndeshje, ku Kombëtarja jonë ka shfaqur një nivel të pëlqyeshëm, ndërsa tani trajneri Reja dhe drejtuesit e FSHF-së po mendojnë për një revolucion në ekip. Migjen Basha është tërhequr, Mërgim Mavraj “de facto” është i ikur dhe pritet që këtë rrugë ta ndjekin edhe disa të tjerë.

Një vit plot arritje për Luiza Gegën

Në planin individual ka qenë një vit mjaft i suksesshëm për atleten Luiza Gegën, por edhe për atletikën shqiptare. Gega është shpallur kampione e Ballkanit në Turqi, duke marrë medalje ari në kampionatin e sallave të mbyllura, në garën e saj të preferuar 1500 metra me pengesa. Atletja shqiptare ka marrë medalje bronzi në Berlin, ku vendosi edhe një rekord kombëtar, por kulmi i suskesit për të ishte Botërori i Katarit. Për herë të parë një atlete shqiptare merrte pjesë në një Botëror atletike dhe Gega nuk e la shansin t’i ikte dëm. Ajo bëri një përfaqësim dinjitoz, u rendit e 9-ta, duke përmirësuar edhe rekordin e saj në 9 minuta, 19 sekonta e 93 të qindtat. Luiza Gega e ka siguruar me kohë një biletë për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Në çdo garë atletja shqiptare ka pasur sukses, duke treguar një formë të jashtëzakonshme.

Atletja Luiza Gega. Gazet Si, 31 dhjetor 2019

Peshëngritja e medaljeve

Edhe shtanga e ka thënë fjalën e saj për 2019-ën. Në prill, në Europianin e Peshëngritjes në Gjeorgji, Shqipëria zuri vendin e 12-të si ekip, por sportistët tanë arritën të merrnin një medalje ari, dy argjendi dhe dy bronzi. Briken Calja u shpall kampion Europe në stolin e shkëputjes, ndërsa në shtytje dhe dygarësh ai mori medalje argjendi. Krenar Shoraj, një tjetër peshëngritës, arriti të marrë medalje bronzi në shtytje.

Volejbolli i femrave

Përsëri Partizani, por këtë herë në volejboll femrash. Gjatë 2019-ës ky ekipi arriti një kualifikim historik në Ligën e Kampionëve, duke kaluar në turin e dytë, pasi mundi dy herë ekipin boshnjak të Jedinstvo, 3-1 dhe 2-3. Në turin e dytë, skuadra shqiptare u eliminua nga hungarezet e Vasas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë