Gazeta Si - Xhelal Rraja, një nga personat e dyshuar se në bashkëpunim me Durim Bamin dhe Indrit Doklen, do të vrisnin ish-deputetin e PS-së, Arben Ndoka, është arrestuar nga policia.
Rraja, vëllai i ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja, ishte shpallur në kërkim për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje. Ndaj tij, gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë.
“Pas një pune të mirëfilltë hetimore, është bërë e mundur kapja e shtetasit në kërkim Xhelal Rraja. Ai ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të operacionit “Revanshi”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje”, njoftoi policia në një njoftim për mediat.
Në mesin e ngjarjeve të shumta kriminale që u zbuluan nga hetimet e SPAK, ishte edhe një plan për vrasjen e Arben Ndokës, për të cilën konsiderohet si organizator Durim Bami dhe SPAK thotë se është ndihmuar nga Endrit Dokle, Xhelal Rraja dhe disa persona të tjerë.
Sipas planit, ish-deputeti socialist Ndoka, do të vritej teksa shkonte të pinte kafen e ngushëllimit në Rrugën e “Elbasanit”, pasi kishte vdekur një gjyqtar nga Lezha.
Durim Bami dhe Endrit Dokle, në bashkëpunim Rrajën dhe Marklen Hakën, thurën planin për të vrarë Ndokën në vitin 2021, por që nuk u realizua.
Në komunikimet në “Sky”, rezultoi se ata ofronin shuma të majme parash për kryerjen e atentateve që shkonin më shumë se 1 milion euro.
Prokuroria e Posaçme më herët lëshoi 50 urdhër arreste për persona të dyshuar si pjesë e 7 bandave kriminale, nga të cilat 14 u ekzekutuan në Shqipëri, dhe 6 të tjera në Itali, Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë.
Ky operacion, i emëruar “Revanshi” u zhvillua në datat 17 dhe 18 maj dhe një pjesë e mirë e personave ndaj të cilëve u lëshuan urdhër arrestet nuk ndodhen në Shqipëri.
Emrat dhe rolet e i tyre dolën në skenë, pas zbërthimeve të aplikacioneve Sky ECC dhe Encro Chat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.