Rend dhe Ligj

Arrestohet polici-‘gjobëvënës’ në Pogradec, edhe shtetas të huaj në shënjestër

Gazeta Si – Një polic në Pogradec, në vend që të ndëshkonte shoferët që thyenin rregullat e qarkullimit rrugor sipas ligjit, ishte kthyer në një ‘gjobvënës’.

Madje në shënjestër të gjobave të tij në shkelje të ligjit, ishin bërë kryesisht shtetas të huaj.

Polici me iniciale E.Q., është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, i dyshuar për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Ai u ndalua pas ankesës së një shtetasi nga Kosova, i cili pretendonte se i ishte vendosur një masë administrative në kundërshtim me ligjin në vlerën 6 mijë lekë.

Ai sqaronte se punonjësit të policisë E.Q. i kishte dhënë shumën prej 50 euro për shlyerjen e kësaj mase administrative.

Nga veprimet hetimore të kryera pas sekuestrimit të bllokut të masave administrative të E.Q., masa administrative me numrin përkatës të serisë është me vlerë 1 mijë lekë.

Një “gjobë” e mirëfilltë, që tregon mospërputhje me fletën e masës administrative të paraqitur nga denoncuesi.

Por ky nuk ishte rasti i parë i ‘gjobvënies’ së policit, pasi në vazhdim të këqyrjes së blloqeve të tij të administruara nga zyrtarët, dalin raste të ngjashme edhe për shtetas të tjerë, kryesisht të huaj, për të cilat po bashkëpunohet me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, me qëllim dokumentimin e plotë.

Lidhur me këtë rast, Drejtoria Rajonale e AMP Korçë ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë