Bota

Arrestohet për spiunazh ushtaraku italian, i shiti dokumente sekrete një zyrtari rus

Një oficer i marinës italiane, u arrestua nga karabinierët, pasi është kapur së bashku me një oficer të forcave të armatosura ruse në Romë.

Shtypi italian, raporton se të dy akuzohen për krime të rënda në lidhje me spiunazhin dhe sigurinë kombëtare.

Ndërhyrja u zhvillua me rastin e një takimi sekret midis të dyve, ku u kapën në flagrancë, ndërsa oficeri italian dyshohet se i dorëzoi disa dokumente ushtarake të “klasifikuara” në këmbim të 5 mijë eurove.

Ndërkohë, pozicioni i oficerit rus po shqyrtohet nga oficerët e policisë gjyqësore, duke marrë parasysh statusin e tij diplomatik.

Kapiteni i fregatës italiane, i ka dorëzuar oficerit të ushtrisë ruse, dokumente të klasifikuara ekskluzivisht të një natyre ushtarake.

Shkëmbimi u zhvillua në një parking në kryeqytet, ku të dy u bllokuan nga karabinierët e “Ros”. Bëhet fjalë për  kopje të dokumenteve që ishin në vëmendjen e Shtabit Ushtarak të Mbrojtjes.

Të dy kishin rënë dakord për një shifër më të ulët të shkëmbimit, rreth 4 mijë euro, për transferimin e dokumenteve.

Ndaj ushtarakut italian, aktualisht nën pranga, akuza është shkëmbimi i informacioneve në lidhje me sigurinë kombëtare, spiunazh politik dhe ushtarak, shpërndarja e lajmeve, gjë që është e ndaluar.

Kapiteni italian, thuhet se i dorëzoi dokumentet e NATO-s oficerit rus, midis dosjeve konfidenciale.

Prokuroria Ushtarake ka hapur gjithashtu një hetim për këtë çështje.

Në lidhje me këtë operacion, Ministria e jashtme Italiane, ka thirrur sot në takim ambasadorin rus në Romë, Sergey Razov, i cili do të pritet nga Sekretarja e Përgjithshme e ministrisë, Elisabetta Belloni.

Përmes një komunikate, ambasada ruse në Romë, bëri të ditur se “tani për tani ne e konsiderojmë të papërshtatshme të komentojmë mbi përmbajtjen e asaj që ka ndodhur. Në çdo rast, ne shpresojmë se ajo që ka ndodhur, të mos reflektojë në marrëdhëniet dypalëshe midis Rusisë dhe Italisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë