Ka ndodhur

Vrasja në Shkodër, arrestohet pas 21 orësh Lekë Vuksani. U fsheh në shtëpinë e një gruaje që e kërcënoi

Gazeta Si – Pas 21 orësh nga vrasja e Petrit Vuksanit për një konflikt për qiranë e banesës, policia ka arrestuar këtë të mërkurë në Shkodër autorin e dyshuar, Lek Vuksani. 34-vjeçari është vënë në pranga falë bashkëpunimit të policisë së Shkodrës dhe forcave RENEA.

Policia sqaroi se ai arriti që t’i shpëtonte arrestimit, duke u strehuar në një shtëpi në rrugën “Pjetër Budi”. Vuksani kishte mundur të futej dhe të qëndronte në këtë banesë, duke kërcënuar me armë të zonjën e shtëpisë.

Policia tha se ka gjetur po ashtu dhe ka sekuestruar armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu krimin.

Arma e krimit të Lekë Vuksanit

“Ky shtetas dyshohet se rreth orës 12:15, të datës 02.05.2023, në lagjen “Tom Kola”, vrau me armë zjarri automatik, në banesë, shtetasin Petrit Vuksani 51 vjeç”, – njofton policia.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Tom Kola”, ku brenda banesës së tij është gjetur i vrarë me armë zjarri 51-vjeçari, Petrit Vuksani.

Ky i fundit kishte vetëm një muaj që ishte kthyer në vendlindje, pasi ishte emigrant në Angli.

Policia u lajmërua nga qytetarët e zonës, të cilët dëgjuan breshëri automatiku dhe kanë raportuar se kishin parë një person që kishte dalë nga banesa me nxitim pas krismave.

Pasi shkoi në vendngjarje, policia ka arritur që brenda pak minutash të identifikojë autorin e dyshuar të këtij krimi, i cili jetonte me qira në banesën e viktimës.

Ky i fundit, sipas të dhënave paraprake mendohet se ka shkuar për t’i kërkuar lekët e qirasë Lek Vuksanit dhe atje dyshohet se kanë pasur një debat, si pasojë e të cilit 34-vjeçari e ka qëlluar me automatik, duke e lënë të vdekur në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë