Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me atentatin me pasojë vdekjen e 48-vjeçarit Lulzim Visha.
Ai u qëllua me breshëri arme 200 metra larg banesës së tij në Zall Mner të Kamzës, ndërsa ishte nisur në punë.
Policia e Tiranës ka sekuestruar një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sëpatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e banesës janë gjetur 4 gëzhoja armë, në banesën e E. L, i cili është shpallur në kërkim në lidhje me vrasjen e Lulzim Vishës të premten në mëngjes.
Policia gjithashtu konfirmoi arrestimin e E. L., 37 vjeç, i afërm i autorit të dyshuar, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”.
Nga tërësia e veprimeve paraprake hetimore, administrimit të provave dhe fakteve, rezulton se banesa ku janë gjetur sendet e kundërligjshme është në posedim të autorit dhe përdoret nga ai dhe kushëriri i tij.
Arma e zjarrit, gëzhojat si dhe sendet e tjera të sekuestruara në banesë janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme për të parë nëse kjo armë zjarri është përdor në ngjarje kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.