Një zyrtar i lartë i repartit special RENEA, u arrestua në Tiranë me akuzat për pastrim parash, shpërdorim detyre dhe fshehje të ardhurash.
Altin Morina, 43 vjeç, me detyrë Shef i Stërvitjes te Reparti Special policor u ndalua pasi në automjetin me të cilin po lëvizte, u gjetën sasi të mëdha monetare.
Aksioni ka nisur në orët e mesditës, kur agjentët policorë kanë marrë informacion se efektivi i RENEA-s qarkullonte me automjetin tip “Audi” dhe kishte me vete sasi të konsiderueshme parash.
Për ndjekjen e tij janë angazhuar shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të cilat kanë bërë ndalimin e 43-vjeçarit në zonën e Kodrës së Diellit.
Oficeri i RENEA-s është shoqëruar bashkë me mjetin në ambientet e policisë së Tiranës ku më pas është kryer edhe kontrolli fizik i Morinës dhe automjetit që ai drejtonte.
Burimet zyrtare thanë se gjatë kontrollit të automjetit rezultoi se në sediljen e pasagjerit, në vendin e parë, ndodhej një qese plasmasi brenda të cilës kishte kartmonedha lekë, euro dhe paund.
Konkretisht nga numërimi rezultoi se në qesen e palsmasit kishte rreth 113 mijë euro, rreth 290.00 lekë të rinj dhe 80 paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Altin Morina po hetohet për pastrim parash, fshehje të ardhurash dhe shpërdorim detyre pasi shuma monetare që dispononte me vete dyshohet se nuk justifikohet me burime të ligjshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.