Rend dhe Ligj

Arrestohet në Spanjë shkodrani me disa emra që mori peng Jan Prengën 2 vjet më parë

Gazeta Si – Gentjan Funiqi, i njohur edhe me emra të tjerë, si Gentjan Martini, Festim Olomani dhe Rajko Ivanov, i akuzuar për marrjen peng të Jan Prengës dy vjet më parë, është arrestuar sot në Spanjë. 40-vjeçari ishte në kërkim prej dy vjetësh.

“Finalizohet brenda 24 orëve të fundit një tjetër operacion ndërkombëtar për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni policor i koduar “Seville” u zhvillua nga Policia spanjolle, në bashkëpunim me Policinë shqiptare.

Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes Policisë së Shtetit dhe Policisë spanjolle u bë e mundur kapja në Spanjë dhe arrestimi me qëllim ekstradimi i një shtetasi shqiptar shumë të kërkuar, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime kundër personit.

I shumëkërkuari qarkullonte në Spanjë, me dokumente të falsifikuara. U arrestua shtetasi i shumëkërkuar G. F. alias G. M. alias F. O., 40 vjeç, nga Shkodra. Ky shtetas, në momentin e kapjes nga Policia, mbante një kartë identiteti bullgare të falsifikuar, me gjeneralitete R.I., dhe një sasi lënde narkotike, të cilat janë sekuestruar nga Policia.

40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”.

Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në vitin 2020, në Kamzë, Tiranë, ka marrë peng shtetasin J. P. Interpol Tirana po punon për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tonë”, – shkruhet mes të tjerash në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë