Gazeta Si – I shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Lulzim Berisha është arrestuar në Spanjë pak ditë pas pushimit të hetimeve ndaj tij si i përfshirë në vrasjen e Vajdim Lamajt dhe Artan Arsit në vitin 2005.
Lajmi për kapjen e tij, konfirmohet nga Interpoli shqiptar, i cili thotë se ka nisur procedurat, që Berisha të ekstradohet për t’u përballur më pas me drejtësinë shqiptare.
Me kapele, syze optike, mjekër dhe tatuazhe, Berisha shihet i transformuar komplet nga imazhi i tij në listën e personave në kërkim.
Berisha u shpall në kërkim nga Prokuroria e Posaçme në dhjetor 2022, nën akuzën se bashkë me anëtarë të tjerë të bandës së Durrësit janë përgjegjës për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame, i cili u vra në një shpërthim me bombë në Tiranë në ashensorin e pallatit ku banonte në shkurt të vitit 2005, bashkë me Artan Arsin.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë operacionet dhe bashkëpunimet e sukskeshme me homologët, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Sant Joan”.
Si rezultat i bashkëpunimit të FAST Albanias me FAST Spanjën, falë informacioneve të siguruara përmes inteligjencës policore nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit të tyre në kohë, me strukturat e Policisë spanjolle, u bë e mundur kapja e shtetasit me rrezikshmëri të lartë shoqërore Lulzim Berisha.
Vijon bashkëpunimi me autoritetet spanjolle, për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.
Historia e tij me drejtesinë shqiptare
Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e hetimeve për Berishën dhe kunatin e tij Plarent Dervishaj (të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia), të akuzuar si të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj dhe mikut të tij Artan Arsi.
Pas tre vitesh hetime, SPAK nuk ka mundur të provojë implikimin e dy figurave kryesore të krimit në vrasjen e dyfishtë me tritol të ndodhur në muajin shkurt 2005 në Tiranë.
Nisur nga kjo situatë, pak ditë më parë SPAK, vendosi të kërkojë në gjykatë pushimin e ndjekjes penale për dy ish-anëtarët e bandës së ashtuquajtur të Durrësit.
Historia e tij me drejtësinë shqiptare është tepër e gjatë. Në dhjetor të vitit 2021, Gjykata e Lartë vendosi se Lulzim Berisha, ish-drejtues i Bandës së Durrësit, duhet të rikthehet në qeli për të vuajtur dënimin edhe për 5 vite. Vendimi i Gjykatës së Lartë rrëzoi vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit, që kishte vendosur lirimin nga qelia të Berishës dhe vuajtjen e pjesës tjetër të dënimit me shërbim prove.
Berisha duhet të kryejë edhe 5 vite dënim të mbetur, pasi është dënuar si ish-drejtues i Bandës së Durrësit.
Ai u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm, por me dërgimin e dosjes në Gjykatën e Lartë, dënimi u ul në 25 vite burg.
Pas arrestimit të bujshëm të 6 prillit 2006, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza për Lulzim Berishën, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999.
Më pas, Berisha filloi betejën me drejtësinë për t’u liruar. Në vitin 2016, Gjykata e Apelit Durrës pranoi kërkesën e tij për të vijuar me shërbim prove pjesën e mbetur të dënimit.
Në një nga shkresat që mbështesnin pretendimin e tij për lirim ishte edhe një e firmosur nga ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i cili thoshte se do ta punësonte në një nga drejtoritë e Bashkisë.
Një vit pas lirimit, SPAK kërkoi arrestimin e tij, pasi dyshohet se është i përfshirë në Vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt në vitin 2005, por së fundmi SPAK krkoi pushimin e hetimeve për të, me argumentin se nuk provon dot përfshirjen e tij në krimin e dyfishtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.