Ngjarje

Video/ Arrestohet në Itali për trafik droge këngëtarja shqiptare Elsa Lila, momenti kur policia e fut në makinë

Gazeta Si - Këngëtarja shqiptare Elsa Lila është arrestuar në Itali me akuzën e trafikut të drogës, pasi policia goditi një organizatë prej 13 personash mes të cilëve shqiptarë dhe italianë.

Mediat italiane raportojnë se pjesë e të arrestuarve është edhe këngëtarja e njohur shqiptare 40 vjeçe, e cila raportohet se ishte "financierja" e grupit, si dhe një boksier i quajtur Petrit Bardhi, i njohur me pseudonimin “Titi”.

Aktiviteti koordinohej nga një lokal lojërash fati që kishte grupi në Acilia dhe menaxhohej nga këngëtarja shqiptare, ku mbanin takime teknike për të menaxhuar trafikun e drogës në zona të ndryshme të Romës.

Mediat kanë publikuar edhe momentin kur artistja shqiptare shoqërohet nga policia pa pranga dhe futet në makinë, e veshur me pallto të zezë, atlete dhe dhe kapele verore në kokë.

Aksioni policor është kryer në Romë dhe Viterbo mëngjesin e së mërkurës. Urdhër-arrestet për 13 persona janë kërkuar nga Antimafia e Romës dhe janë lëshuar nga gjykata.

Pjesë e grupit edhe boksierët

Pjesë e të arrestuarve të “famshëm” është edhe Arben Zogu, i njohur si “Riccardiono”, i cili bashkë me Bardhin ishin pjesë të klanit të vëllezërve Guarnera, një bandë italo-shqiptare që merret me trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali dhe më pas shpërndarjen e tyre. Mediat shkruajnë se grupi i boksierëve u shkatërrua në vitin 2015 nga policia italiane.

Ata kishin atëhere mbrojtjen e mafiozit Massimo Carminato, i njohur si “Mbreti i fundit i Romës” që merrej me disa aktivitete kriminale përfshirë gjobëvënie dhe trafik droge.

Dënimin më të rëndë e ka marrë Arben Zogu, i cili u dënua atëhere me 20 vite burg. Zogu njihej si ultras i ekipit të Lacios. Bashkë me të u arrestuan atëhere edhe Orial Kolaj “kampioni italian dhe evropian i peshave të mesme dhe maksimale” dhe Petrit Bardhi.

Një sasi droge ruhej në një magazinë klandestine në zonën e Torrevecchias, edhe pse “kupola” ishte në Torpignattara dhe në Marranella.

Gjatë hetimeve u sekuestrua mbi një kuintal drogë. Qendra e operacioneve të organizatës ishte ende në Acilia nga ku vinin porositë për filialet e shpërndara në të gjithë kryeqytetin.

Kush është Elsa Lila

Këngëtarja Elsa Lila ka lindur në Tiranë, por prej vitesh jeton në Itali. Ajo mundi të rrëmbejë menjëherë zemrat e shqiptarëve që me daljen e saj të parë në skenë me këngën, "Pyes lotin" në vitin 1996, ku mori edhe çmimin e parë. Më pas, ajo fitoi sërish çmimin e parë në Festivalin e RTSH-së një vit më pas, me këngën “Larg Urrejtjes”

Këngëtarja më pas u largua drejt Italisë, ku edhe vijoi karrierën në muzikë, duke marrë pjesë në Sanremo. Ajo për herë të parë këndoi në Itali në vitin 2003 me këngën "Valeria", ndërkohë që në vitin 2007 mori pjesë sërish me këngën “Il senso della vita” (Kuptimi i Jetës).

Por prej shumë vitesh ajo ishte tërhequr nga muzika, ndërsa në vitin 2010 u bë nënë për herë të parë, duke sjellë në jetë vajzën Evita.

Elsa Lila u përfshi edhe në politikë vite më parë, kur Partia Socialiste asokohe në opozitë hyri në grevën e urisë në Çadrën para Kryeministrisë. Ajo ka pozuar disa herë krah Edi Ramës, i cili në vitin 2013 publikoi foton me këngëtaren duke u përqafuar dhe ku shpjegonte se ajo erdhi nga Italia për të votuar Rilindjen.

Babai i saj ishte një këngëtar i ish-korit të shtetit shqiptar, ndërsa nëna e saj ishte violiniste, e cila u gjet e vrarë pranë fshatit Romanat pas viteve '90 në rrethana misterioze që nuk është zbuluar ende.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë