Rend dhe Ligj

Arrestohet në Holandë Eljo Bitri, u shpall në kërkim për vrasje pas dëshmisë së Nuredin Dumanit

Gazeta Si - Eljo Bitri, i kërkuar në kuadër të operacionit “Golden Bullet” (Plumbi i Artë) pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, është arrestuar në Holandë.

Ai akuzohet i përfshirë në vepra të rënda penale, si vrasje, vjedhje me dhunë, shkatërrim i pronës me ekskloziv.

Bitri 35 vjeç nga Elbasani, i cili përdorte edhe identitetet Ervis Bitri alias Bledar Debrova, u kap në qytetin Leiden.

Në momentin e arrestimit, ai ishte i armatosur me armë zjarri pistoletë me silenciator dhe me dokument me identitet tjetër.

Pas veprimeve verifikuese nëpërmjet Interpol Tirana dhe Interpol Hagë dhe pas krahasimit të gjurmëve të gishtave, u bë arrestimi provizor i tij me qëllim ekstradimin në Shqipëri.

Gjithashtu, Eljo Bitri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Belgjika, pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Bruksel, më datë 31.05.2022, ka lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”.

35-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit “Golden bullet”, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Në dëshminë e gjatë që Nuredin Dumani ka dhënë në SPAK, ka treguar edhe për planin e vrasjes së Florenc Çapjas në Elbasan dhe planin e shkatërrimit me tritol të banesës së Talo Çelës.

Në 5 nëntorin e vitit 2020 në Elbasan vendoset 2.8 kg lëndë shpërthyese në vilën e Talo Çelës në Elbasan.

Personi që ka vendosur sasinë e tritolit ka qenë pikërisht 35-vjeçari. Eljo është vëllai i Lulzim Bitrit, që mbeti i vrarë në tetor 2021 së bashku me Ardjan Çollakun në Elbasan.

Eljo Bitri dyshohet se ka pasur rolin e vëzhguesit në vrasjen e Endrit Alibejt, dajës së tij, Arben Dylgjeri, dhe shtetasit turk, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2018.

Sipas Dumanit, ishte pikërisht shoku i tij, Eljo Bitri, ai që i vuri tritolin Talo Çelës në banesën e tij, duke sjellë shkatërrimin pjesërisht të katit të parë.

Eljo Bitri, në atë kohë nuk mundi të arrestohet, ndërsa pati dyshimin e policisë së Elbasanit se ai mund të ishte njëri nga autorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë