Rend dhe Ligj

Arrestohet në Dubai i shumëkërkuari Durim Bami. Kokat e krimit kishin ofruar 1 mln euro për vrasjen e tij. Pritet ekstradimi në Shqipëri

Gazeta Si - Pak ditë pasi u shoqërua në komisariat, Policia e Shtetit ka konfirmuar se është arrestuar në Dubai, Durim Bami, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si i dyshuar për disa vepra penale. Në një njoftim të policisë, thuhet se pritet ekstradimi i 45-vjeçarit në Shqipëri.

“Si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit, ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara, u arrestua në Dubai, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi D. B., 45 vjeç”, - thuhet në njoftim.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar Bamit, masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje", “Grupi i strukturuar kriminal", "Kultivimi i bimëve narkotike", dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal’. Vijon procedura për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tone”, njofton policia.

Vëllezërit Durim dhe Valter Bami fshihen prej disa kohësh në Dubai dhe janë persona të shpallur në kërkim me urdhër-arresti nga SPAK.

Sipas dosjes së fundit të SPAK, "Metamorfoza", Durim Bami akuzohet se ka siguruar kushtet për të vrarë Arben Ndokën, Tori Xheçukën dhe Erigers Mihasin, si dhe rezultonte i përfshirë në kultivimin e kanabisit në Tapizë të Niklës.

Nga ana tjetër, po sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Durim dhe Valter Bami ishin në ndjekje nga 16 persona të tjerë të cilët kërkonin për t’i vrarë në një luftë të vërtetë mes grupeve më të mëdha kriminale në Shqipëri, me këta të fundit që ofruan 1 milion euro për ‘kokën’ e “të fortit të Niklës”.

Në nëntor 2020, ai u vetëparaqit në Policinë e Krujës, pasi i shpëtoi një atentati me armë në Urën e Tapizës.

Pas atentatit, Bami u largua duke mos u gjendur nga policia për disa ditë. Gjatë dëshmisë së tij ka pohuar në polici se është larguar dhe ka qëndruar i fshehur, pasi i druhej një sulmi me armë.

Më tej ka shtuar se nuk ka arritur të njohë personat që e kanë qëlluar. Në atentatin në Urën e Tapizës makina ku udhëtonte Bami u qëllua me 5 plumba. Vetë Bami që ishte shënjestër e atentatit, nuk mori asnjë plumb, kurse kushëriri i tij Ervin Kodra u plagos lehtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë