Rend dhe Ligj

Arrestohet mjeku në Tiranë, u dënua me 11 muaj burg për kontrolle fiktive anti-Covid

Gazeta Si – Mjeku Ilir Hoxha, 52 vjeç është arrestuar këtë të enjte në Tiranë, pasi është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 11 muaj e 25 ditë burg për akuzën se ka falsifikuar dokumentet shëndetësore për bizneset që nuk respektonin rregullat anti COVID.  

Emri i mjekut doli gjatë operacionit të urdhëruar nga SPAK, që çoi në pranga 14 zyrtarë të strukturave shëndetësore, të cilët përfituan nga situata e pandemisë së COVID, duke shpërndarë tampone për të përfituar lekë.

Zyrtarët nuk bënin kontrolle të subjekteve tregtare në lidhje me masat anti-covid, si dhe përmes përfitimeve materiale shmangin vendosjen e gjobave apo mospenalizime të ndryshme që lidheshin me respektimin e masave për pandeminë.

Për këtë, ata ushtronin ndikim tek personat e tjerë dhe falsifikonin dokumente ku gjoja nuk ishin konstatuar shkelje.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit ndaluan shtetasin në kërkim Ilir Hoxha, 52 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë e ka dënuar me 11 muaj e 25 ditë burgim, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, kryer në bashkëpunim”, – thuhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë