Drejtësia

Zbardhet atentati ndaj prokurorit Ndoj, arrestohen 5 persona me urdhër të SPAK. I përfshirë dhe Plarent Dervishaj (video)

Gazeta Si - Atentati ndaj Aleksandër Lahos dhe Arjan Ndojt, ku mbeti i vrarë edhe shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku, dyshohet se është organizuar nga grupi i Plarent Dervishajt.

Anëtari i "Bandës së Durrësit", sipas SPAK, ka dashur të hakmerret për atentatin e kryer ndaj tij në qershor 2019.

Zbardhja e zinxhirit të ngjarjeve tri vite më vonë është bërë falë dëshmisë së një bashkëpunëtori të drejtësisë,

Policia e Shtetit zbardhi të gjithë operacionin e koduar “Komploti”, i cili nisi një ditë më parë, ku pesë persona janë të arrestuar dhe katër të tjerë të shpallur në kërkim.

Përplasja mes grupeve kriminale, ka pasur si shkak konkurrencën në aktivitetin e paligjshëm dhe aferat e pronave në bregdet.

LEXO EDHE:
- Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja, SPAK shpall në kërkim Ramazan Rrajën, nipin e deputetit socialist
- Në Shkafanë dhe Nikël, në gjurmët e atentatorëve të prokurorit Ndoja

Në pranga kanë rënë: Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku 40 vjeç, i cili i shpëtoi një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në Durrës, Marsel Deçka 38 vjeç, Endrit Sinani 29 vjeç, Julian Pjetri 45 vjeç dhe Bashkim Haxhija 54 vjeç.

Mes personave të shpallur në kërkim janë Julian Meçaj, Plaurent Dervishaj, i cili dyshohet se ndodhet në Dubai dhe Ramazan Rraja, i cili nuk ndodhej në shtëpi ditën e djeshme kur u ushtrua kontroll.

Në rolin e qitësit, SPAK thotë ishte shtetasi Redjan Rraja, ADN e të cilit u gjet në sendet e sekuestruara në këtë makinë të përdorur në atentat dhe të braktisur në Shkafanë të Ishmit, si dhe shtetasi tjetër Arjol Halilaj. Të dy janë të arrestuar dhe po gjykohen.

Hetimet nxorën në dritë se në organizimin dhe sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasjen kanë marrë pjesë edhe 9 persona të tjerë, 5 prej të cilëve janë arrestuar në një operacion të SPAK dhe policisë

Në njoftimin e saj, policia tha se ky operacion ka lidhje me atentatin të ndodhur në 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Sukthit, ku mbeti i vrarë Andi Maloku dhe u plagosën Landi Muharremi dhe ish-prokurori Arjan Ndoj.

Çfarë u sekuestrua pas kontrolleve

Operacioni u zhvillua në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë, nga Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, FNSH dhe Repartin Special Renea, nën koordinimin e SPAK-ut. 

Policia tha se sekuestroi 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente, 11 ora dore të markave të shtrenjta dhe sende të tjera të ndryshme.  Gjatë këtij operacioni, u zhvilluan kontrolle në 11 banesa, në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë.

Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë (ndaj shtetasit A. N.), “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” (me pasojë vdekjen e shtetasit A. M. dhe mbetur në tentativë ndaj shtetasit A. L.), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja”, më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ramazan Rraja

Urdhri i shoqërimit për Ramazan Rrajën

Ndërsa Plarent Dervishaj rezulton në kërkim për një tjetër çështje dhe dyshohet se ndodhet në Dubai. 3 emrat e tjerë, nuk dihet ende se ku ndodhen. 

Urdhri i SPAK vjen pas një procedimi penal të regjistruar më herët nga rrëfimi i një bashkëpunëtori të drejtësisë, i cili dyshohet të jetë Nuredin Dumani, njeriu që ka zbardhur ngjarje të rënda kriminale në vend.

SPAK një ditë më parë urdhëroi edhe shoqërimin e Ramazan Rrajës, që është dhe nip i deputetit të Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit, Rrahman Rraja.

Kili Ndërjaku

Kili Ndërjaku i shpëtoi një atentati me snajper

Sipas burimeve paraprake, mes të ndaluarve është edhe Kili Ndërjaku, një emër jo i panjohur për policinë. Ai është arrestuar disa vite më parë për armëmbajtje pa leje dhe është liruar më pas nga gjykata.

Ai ka qenë shënjestër e një atentati me snajper që dështoi në zonën e plazhit në Durrës, në shtator të vitit të kaluar

Në atë kohë 40-vjeçari ka qenë duke lëvizur në këtë zonë në momentin kur ka ndodhur ngjarja, ku autorët kanë qëlluar me snajper nga brenda një furgoni sapo ai ka dalë nga automjeti i blinduar G-Class.

Plumbi nuk ka e kapur shënjestrën, por ka përfunduar në një automjet që ndodhej i parkuar, me targa të huaja.

SPAK dje shpalli në kërkim Ramzan Rrajën, i cili duhet të japë shpjegime për atentatin tek mbikalimi i Shkozetit të 2019 ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, por gjatë kontrolli nuk u gjet në shtëpinë e tij.

Plaurent Dervishaj

Kush është Plarent Dervishaj?

Plarent Dervishaj, anëtari i bandës së Durrësit, ka një tjetër urdhër arresti nga dita e sotme. Ai është në kërkim edhe për vrasjen e Vajdin Lames. Dervishaj është kunati i Lulzim Berishës dhe një prej personazheve kryesore të "Bandës së Durrësit".

Plarent Dervishaj u arrestua në Dubai, por u la i lirë, pasi u shpallj në kërkim pas rrëfimit të dëshmitarit të drejtësisë Luftar Reçi, i cili ka treguar dinamikën e vrasjes së Klodian Saliut.

Në këtë vrasje, Reçi ka treguar se e ka kryer së bashku me Indrit Taullaun dhe Plaurent Dervishajn. Ndërsa sipas Luftar Reçit, Lulzim Berisha ishte njeriu që i kishte propozuar vrasjen e ish-mikut të tij Saliu, në këmbim të vrasjes së hasmëve të Luftar Reçit.

Ish-prokurori Arjan Ndoj

Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj

Më 1 nëntor të vitit 2019, në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, u bë atentat ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.

Ditën e ngjarjes, Ndoj ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Landi Muharremi dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.

Makina 'Benz' me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga prokurori Ndoj, u qëllua me breshëri automatiku nga një tjetër automjet.

Pas breshërisë së tetë plumbave, makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private.

Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t'i mbijetonte plagëve.

Ndërsa prokurori Arjan Ndoj dhe Landi Muharremi, që së fundi e kishte ndryshuar emrin në Aleksandër Laho, morën trajtim në spitalin e Durrësit dhe nuk morën lëndime që i rrezikonin jetën. Nën akuzë për atentatin ndaj ish-prokurorit, janë Redjan Rraja dhe Ariol Halili.

Në maj të vitit të shkuar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoj. Ai u hetua për të tri kriteret dhe gjatë vlerësimit të figurës së tij, u konstatua papështatshmëri e figurës, pasi dyshohet se ka favorizuar persona me precedent penalë gjatë detyrës së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë