Drejtësia

Arrestohet me urdhër të SPAK kreu i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka. Në kërkim dhe një ish-oficere e Krimeve e dy avokatë

Gazeta Si - Një muaj pasi kaloi me sukses Vettingun, Aurel Zarka, drejtues i Prokurorisë së Vlorës, është arrestuar me urdhër të SPAK, ndërsa nuk dihen ende zyrtarisht arsyet e ndalimit të tij.

Ndërhyrja për arrestimin e Zarkës është bërë mëngjesin e kësaj të hëne nga agjentët e BKH-së. Këta të fundit i kanë zbarkuar në banesë kryeprokurorit të Vlorës, duke i vënë prangat.

Ndaj Zarkës rëndon akuza për veprën penale "Ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike".

Drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka u konfirmua në detyrë të premten e 28 qershorit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK.

Zarka dha shpjegime të përmbledhura për dy gjetje në kriterin e pasurisë. Për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin Zarka u vlerësua pozitivisht.

Sipas burimeve paraprake, masë sigurie është firmosur edhe për avokatët Radovan Çela, Astrit Vladi dhe ish-oficeren e Policisë Gjyqësore pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda, aktualisht magjistrate në Shkollën e Magjistraturës, Erjona Dautaj, të tre të shpallur në kërkim.

Ata akuzohen për “ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërkohë që akoma nuk dihet çështja penale për të cilën janë vënë nën akuzë. Urdhër-arrestet e firmosura nga SPAK, janë ekzekutuar në qytetin e Vlorës për një çështje në hetim.

Çështja në fjalë lidhet me dosjen “Toyota Yaris”, një hetim i marrë përsipër nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Hetimi ndodhi në vitin 2018, pasi një sasi prej 3.4 milionë euro cash u kap në dy automjete “Toyota Yaris” që kishin mbërritur nga Belgjika në portin e Durrësit.

Hetimi i Prokurorisë për Krimet e Rënda çoi në arrestimin e disa personave. Edi Lika, Klevi Lika, Agim Ceka dhe Alban Mollaymeri u liruan më pas, ndërsa Ervis Vladi u mbajt përgjegjës duke u dënuar me 1 vit e 6 muaj burg për “mosdeklarim të ardhurash në kufi”.

Ervis Vladi rezulton të jetë i afërm i Astrit Vladit, një prej të arrestuarve me urdhër të SPAK gjatë ditës së sotme.

Ndërkohë, Radovan Çela ka shërbyer si përfaqësues ligjor i kushërinjve Alfred dhe Elvis Vladi, të arrestuar në vitin 2018 pas sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit, si pjesë e të ashtuquajturës dosja "Toyota Yaris".

Prokuroria i akuzoi dy kushërinjtë Elvis Vladi, dhe Alfred Vladi, për krijimin e një organizate me qëllim pastrimin e parave me origjinë kriminale. Por kushërinjtë Vladi nuk u arrestuan asnjëherë nga policia.

Çështja mori rëndësi publike në Shqipëri, pasi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e denoncoi mbërritjen e parave disa ditë para se ato të sekuestroheshin në Durrës.

Basha paralajmëroi trafikimin e parave me makina “Toyota Yaris” dhe akuzoi kreun e grupit socialist, Taulant Balla se kishte dalë garant për ato që i quajti “para të drogës”. Balla i mohoi akuzat dhe fitoi në gjykatë një padi për shpifje ndaj Bashës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë