Drejtësia

Arrestohet për shpërdorim detyre ish-kreu i Bashkisë Fushë Arrëz. Dëmi i shkaktuar shtetit 234 milionë lekë

Gazeta Si – Ish-kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit Fran Tuci është arrestuar mbrëmjen e djeshme me urdhër të SPAK i akuzuar për shpërdorim detyre.

Mësohet se Tuci ka lejuar disa banorë që të pastrojnë një rrugë rreth 1 kilometër në një fshat të thellë të Fushë-Arrëzit me fondet e komunitetit.

Në “arrest shtëpie” është vënë dhe administratori i njësisë së Fushë-Arrëzit, ndërsa një fadromisti i është caktuar masa e “detyrimit me paraqitje“.

Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Posaçme thuhet se është hapur një segment i ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m në Fushë-Arrëz, i cili ka cënuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor.

Nga hetimet, thekson SPAK, ka rezultuar se ish-kryebashkiaku në bashkëpunim me ish-administratorin e njësisë Iballë dhe një fadromist kanë thyer ligjin duke hapur këtë segment të ri rrugor të pamiratuar nga autoritetet kompetente.

Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e konsiderueshme të 234,007,500 lekë, i cili përfshin dëmtimin e terrenit si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes se regjistruar pranë ASHK, Drejtoria Vendore Pukë, si pasuri të llojit “Pyll” në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.

Emri i ish-kryebashkiakut socialist u përfol në media në qershor të vitit 2020, kjo pasi vëllai i tij Albert Tuci u vu në pranga gjatë një operacioni antidrogë. Asokohe Tuci ishte në detyrën e kreut të bashkisë Fushë-Arrëz dhe PD kërkoi që ai të jepte dorëheqjen.

Ndërsa kryedemokrati Sali Berisha e ka theksuar shpesh se ish-kryebashkiaku ka disa dosje për korrupsion në prokurori.

Fran Tuci u zgjodh kryetar i Bashkisë Fushë-Arrëz në zgjedhjet lokale të vitit 2015, si përfaqësues i Partisë Socialiste dhe i Aleancës për Shqipërinë Europiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë