Rend dhe Ligj

Arrestohet inspektori i policisë në Shkodër, vodhi një zarf me lekë dhe rrahu një qytetar

Gazeta Si – Një punonjës policie nënkomisar, Shkëlzen Gjonaj, 50 vjeç, specialist i Policisë së Rendit në Shkodër, është arrestuar, pasi ka vjedhur para nga një qytetar dhe ka kanosur e rrahur një tjetër në një lokal.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Shkodër, pasi e ka pezulluar nga detyra, e ka marrë këtë masë pas publikimit të rastit në një emision investigativ.

“Prokuroria e Shkodrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për Shkëlzen Gjonajn, me detyrë specialist Rendi në Komisariatin e Policisë Shkodër, pasi u filmua duke vjedhur para në një makinë si dhe duke rrahur një të ri në një lokal. Urdhërndalimi ndaj 50-vjeçari është nxjerrë për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Kanosje”, në dëm të shtetasve me iniciale B. U. dhe A. B”, – thuhet në njoftimin e AMP-së

Inspektori i policisë, Shkëlzen Gjonaj

Në datën 21 maj 2023, Gjonaj u filmua nga një kamera sigurie në një lavazh, duke u futur në një makinë private pa mandat dhe kontrollon portofolin që gjendej aty.

Veç portofolit, ai ka kontrolluar një zarf, brenda të cilit dyshohet se ka pasur 350 mijë lekë dhe 50 euro të qytetarit.

Më pas, polici e merr zarfin dhe bashkë me një fasoletë, heq kapelën. Ai bën sikur pastron kapelën dhe fut në të një send të bardhë, i cili ishte zarfi.

Për të njëjtin polic, Komandantin e Rendit në Policinë e Shkodrës, publikohet një tjetër video, e bërë disa kohë më parë.

Në material shfaqet sërish Shkëlzen Gjonaj, i cili gjuan me shkelma dhe grushte një djalë të ri.

Sherri bëhet në mes të lokalit, teksa nga pamjet nuk duket si aksion policor. “Ik, ik! Larg, larg. Yyy, yyy depzes kur&ë! Jazëk, ik …” i thotë inspektori qytetarit.

Vetëm përgjatë vitit 2022, AMP ka referuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre 357 raste nga të cilët 168 me masë shtrënguese.

Në 5 muajt e parë të këtij viti, janë referuar 119 raste, nga të cilët 34 me masë shtrënguese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë