Gazeta Si – Kryebashkiaku socialist Erion Veliaj është arrestuar mesditën e kësaj të hëne nga agjentë të BKH me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, e cila prej dhjetorit të vitit 2024 ka nisur një hetim pasuror ndaj tij dhe familjes së tij.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Veliaj akuzohet për veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në 9 raste si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjithashtu SPAK ka zbardhur akuzat edhe për personat e tjerë të përfshirë në këtë hetim, bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa (arrest shtëpie), 5 biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha (Detyrim paraqitjeje). Arrest me burg është caktuar për biznesmenin Elman Abule, përfaqësues i RAMETAL (ish “METALFORM”) i cili u arrestua sot.
Ajola Xoxa është duke u rikthyer në Shqipëri për të zbatuar vendimin e GJKKO të caktuar ndaj saj, pasi ndodhej në Itali. Ndaj saj, SPAK thotë se rëndojnë akuzat korrupsion pasiv, pastrim parash e fshehje pasurie.

Ndërkohë të 5 biznesmenët akuzohen nga SPAK për veprën penale korrupsion aktiv.
Ndërsa Fatmir Bektashi, në masën “detyrim paraqitjeje”, dyshohet si i përfshirë edhe në dosjen e aferës “Partizani”, nën akuzë për korrupsion.

SPAK gjithashtu sqaroi se “po kryen hetime paraprake edhe ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases K.B.”. Me këto iniciale, në legjislaturën aktuale, rezulton vetëm deputetja Klotilda Bushka.
“Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës””, sqaron ndër të tjera SPAK.
SPAK thotë se paratë e korrupsionit përmes lejeve të ndërtimit apo tenderave që jepte Veliaj pastroheshin nga bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, e cila në një periudhë kohore prej katër vitesh ka bërë blerje “online” veshje dhe bizhuteri me vlerë 86,721,175 lekë.
Prokurorët thonë se kjo është një skemë e mirëfilltë korrupsioni e çiftit Veliaj-Xoxa dhe biznesmenëve Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, më konkretisht “duke dhënë përfitime të parregullta tek i zgjedhuri vendor dhe bashkëshortja e tij, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet OJF-ve, shoqërive me përgjegjësi të kufizuar dhe personave fizikë të kontrolluar nga kjo e fundit, të cilat konsistojnë në pasuri të paluajtshme (godinë banimi e tipit “vilë”), sponsorizime, likuidime faturash për shërbime konsulence ligjore fiktive, blerje sendesh në mënyrë fiktive, financime fiktive festivalesh artistike, pagesa udhëtimesh e qëndrime në hotel etj”.
SPAK ka zbuluar edhe se çfarë gjetën agjentët e BKH-së në kasafortën e Ajola Xoxës, pasi u hap me mjet prerës frezë: 95,350 Euro (shumica prej tyre prerje 500 euro), 14,900 USD dhe 665,000 Lekë.
Ndaj Veliajt, Prokuroria e Posaçme po kryente hetime lidhur me disa akuza, si shpërdorim detyre, korrupsion aktiv, korrupsion pasiv, mosdeklarim i pasurisë dhe pastrim parash.
Mësohet se kryebashkiaku Erion Veliaj është dërguar tek blloku i sigurisë te “Mine Peza”në Tiranë, pasi u shoqërua nga oficerët e BKH-së nga ambientet e Bashkisë Tiranë.
Pritej që Erion Veliaj të dërgohej në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, por mësohet se është shoqëruar në Bllokun e Sigurisë tek “Mine Peza”.

Veliaj dëshmoi në Prokurorinë e Posaçme për rreth 5 orë më datë 26 dhjetor 2024. Ai u pyet nga hetuesit, në kuadër të një hetimi pasuror të nisur muaj më parë. Pasditen e asaj dite, ai tha nga mbledhja e Këshillit Bashkiak se “ishte denoncuar në mënyrë anonime nga një personazh që nuk ekziston”.
Në pyetje është marrë edhe bashkëshortja e tij, ndërsa më herët janë ushtruar kontrolle në banesën e tyre dhe të vëllait të kryebashkiakut, Arbër Veliaj. Kontrolle të cilat u cilësuan të ligjshme nga gjykata pas ankimimit të tyre.

Ndërkohë, mësohet se kryeministri Rama ka anuluar takimet që kishte parashikuar ditën e sotme, 10 shkurt, në Shkodër.
Para arrestimit të Veliajt, Rama është pyetur disa herë sa i takon hetimeve ndaj kreut të Bashkisë Tiranë.
Fillimisht theksoi se “fakti që ai është nën hetim, nuk e bën domosdoshmërisht fajtor”, duke shtuar se në çdo rast drejtësia duhet të bëjë detyrën e saj. Lexo më shumë
Edhe gjatë konferencës së fundvitit, ripërsëriti se “nuk komenton vendimmarrjet e institucioneve të drejtësisë”, megjithatë foli për atë që e cilësoi “gjyq publik ndaj Veliajt”.
Masat e sigurisë:
Erion Veliaj – Arrest me burg
Ajola Xoxa – Arrest shtëpie
Gentian Sula – Detyrim paraqitje
Meriman Palushi – Detyrim paraqitje
Fatmir Bektashi – Detyrim paraqitjeje
Sokol Kryeziu – Detyrim paraqitje
Shkëlqim Fusha – Detyrim paraqitje
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.