Gazeta Si - Gjatë kohës që biznesmeni Ervis Martinaj ishte në arrati, dyshohet se ndihmohej dhe përkrahej nga një agjent i Forcave Operacionale në Policinë e Shtetit.
Jeton Lami 28 vjeç nga Tirana është arrestuar këtë të mërkurë nga kolegët e tij, si i dyshuar në dhënien e ndihmës ndaj të shumëkërkuarit nga policia.
Ndaj të riut, është dhënë masa “arrest me burg” nga Gjykata e Kurbinit për veprën penale të 'shpërdorimit të detyrës', masë e caktuar më 23 gusht.
Nga hetimet del se polici i Operacionales, është shndërruar edhe në shoferin e Ervis Martinajt.
Pra, Jeton Lami përveçse ka mbajtur kontakte me të shumëkërkuarin, dyshohet se ka shoqëruar me mjet mikun e tij, duke dhënë garanci për sigurinë e tij.
Sipas “Ora News”, Lami është zbuluar nga pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë të një hoteli në Durrës, ku ka qenë në shoqërinë e të shumëkërkuarit të drejtësisë.
Ai është filmuar nga kamerat dhe ka dalë gjatë verifikimeve që po kryen Policia e Lezhës dhe Laçit për zhdukjen e dyshuar të biznesmenit.
Të njëjtin version konfirmon edhe “Report Tv”, që shkruan se Lami e ka shoqëruar me makinë në datën 7 gusht 2022.
Martinaj më pas është larguar nga hoteli, duke lënë të vetëm efektivin Lami. Pas kësaj dite ai ka humbur kontaktet me Martnajn dhe nuk dihet se ku ndodhet.
Ndërsa “News 24” raporton se në kamerat e sigurisë, Martinaj shfaqej në shoqërinë e një vajze dhe të efektivit të Operacionales.
Në këtë rast, pamjet janë marrë nga kamera sigurie në qytetin e Durrësit, por dhe në Tiranë, ku Martinaj, vajza në fjalë dhe oficeri Lami shihen në të njëjtin ambient.
Ervis Martinaj është në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani i cili ka thënë se Martinaj e kishte paguar për të vrarë Indrit Doklen (ish-numri dy i Bandës së Durrësit).
Para prokurorëve Dumani ka thënë se Ervis Martinaj do e paguante 500 mijë euro për këtë vrasje. I penduari ka pohuar se ka marrë porosi nga biznesmeni 40-vjeçar për ta ekzekutuar, duke marrë paradhënie dhe një shumë prej 100.000 eurosh.
Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.
Nga burime të pakonfirmuara ende nga Policia e Shtetit, thuhet se Martinaj prej dy javësh ka humbur gjurmët dhe çdo kontakt me familjarët, të cilët kanë bërë kallëzim në polici për zhdukjen e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.