Gazeta Si – Një 21-vjeçar është arrestuar në Shkodër, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e një personi në fshatin Hot i Ri, rreth 1 vit pas ngjarjes së rëndë.
Policia thotë se Luçian Mhilli u vu në pranga në kuadër të megapoeracionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”.
Për të, Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
21 vjeçari Luçian Mhilli në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij vrau 33 vjeçarin pas një debati afër banesave të tyre për parkimin.
Tre persona janë arrestuar më parë për ngjarjen e rëndë. Përkatësisht Klodian Mhilli, Aleksandër Mhilli, Paulo Mhilli dhe Enton Dushaj. Ky i fundit për “moskallëzim krimi” dhe “shitje narkotikësh”.
Konflikti ka nisur mes vëllait të viktimës, Kolë Fierza dhe autorit të dyshuar Klodian Mhillit, fqinjit të tyre, shtëpitë e të cilëve janë pranë njëra-tjetrës.
Debati nisi në një lokal afër banesave lidhur me parkimin, duke pretenduar se është bllokuar rruga. Rreth një orë pas këtij debati, konflikti ka vijuar mes viktimës Valter Fierza dhe autorit të dyshuar.
Pas debatit, fqinji i vëllezërve Fierza, ka marrë armën dhe e ka qëlluar 33-vjeçarin duke e lënë të vdekur në vend.
Ka qenë vëllai i Valter Fierzës ai që e gjeti të vdekur jashtë makinës në rrugicën pranë shtëpisë së tyre, e më pas lajmëroi policinë.
Pas vrasjes, Klodian Mhilli u largua në drejtim të paditur dhe pas më shumë se 5 muajsh është vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.