Gazeta Si – Tre persona janë arrestuar në Dubai, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli shqiptar, pasi dyshohen se kanë marrë pjesë në disa ngjarje kriminale.
Policia thotë se Ervis Daka, 38 vjeç, Maksim Koçi, 39 vjeç dhe Aldo Xhika, 40 vjeç, do të ekstradohen në vendin tonë.
Ata akuzohen për një sërë veprash të rënda kriminale, që nga prodhimi i armëve e deri te vrasja me paramendim, në kuadër të grupit të famshëm kriminal të Talo Çelës.

Ervis Daka dyshohet për veprat penale “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
Ai akuzohet se ka dhënë informacione për atentatorët e vrasjes së mbetur në tentativë të K.P duke u zbuluar detaje mbi lëvizjet e tij, ka siguruar kushtet për vrasjen e A.S si dhe ka strehuar dhe ka transportuar të shumëkërkuarin Talo Çela duke i siguruar kushtet e nevojshme për jetesë.
Maksim Koçi akuzohet për të njëjtat veprat penale, ndërsa dyshohet se ka marrë pjesë në dy vrasje të K.K dhe I.A si dhe ka siguruar kushtet për vrasjen e A.S dhe A.C alias A.S. Gjithashtu ka ndihmuar Talo Çelën duke e strehuar.
Aldo Xhika dyshohet se për 2 vite ka ndihmuar Talo Çelën duke i siguruar kushtet e nevojshme për jetesë si dhe ka shoqëruar një gazetar për të intervistuar të shumëkërkuarin i cili u përpoq të pastronte emrin e tij nga përfolja në ngjarjet kriminale si grabitja e Rinasit.
Pas arrestimit të këtyre tre personave, kanë nisur procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë
Sakaq, Talo Çela kryeson listën e personave më të kërkuar në Shqipëri dhe jo vetëm. Ai akuzohet nga SPAK për grabitjen e 4.6 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit në prill 2019.
Krahas grabitjes, 54-vjeçari nga Elbasani akuzohet dhe si organizator i disa vrasjeve të regjistruara në qytetin e Durrësit dhe të Elbasanit. Ndër to, veçohet ekzekutimi i vëllezërve Haxhia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.