Gazeta Si - Mustafa Lici, babai i Ibrahim Licit, i arrestuar para pak ditësh në Turqi, ka mohuar akuzat ndaj të birit për vrasjen e Endri Musaftës në Shkodër. Mustafa Lici tha sot para SPAK-ut se djali i tij ka qenë në Tiranë kur është vrarë Mustafa.
“Dosjen e ka bërë gati Ardit Hasanbegaj dhe Niko Brahimaj. Pasi bëri dosjen e djalit tim, Niko Brahimi u bë drejtor i Policisë Kriminale, - tha ai. - Kam dorëzuar pamjet filmike dhe qelizat telefonike që djali im ndodhej në Tiranë. Pamjet i kam bërë në shumë kopje se nuk kam besim”, - tha Lici për mediat.
Ibrahim Lici përmendet në dosjen "Metamorfoza", ku sipas komunikimeve të aplikacionit “Sky ECC”, Behar Bajri kishte thurur plan për ekzekutimin e tij në varrimin e Indrit Rrajës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2021, i ka caktuar Licit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin Endri Mustafa.
Sipas dosjes hetimore të SPAK, Bajri synonte të sulmonte Licin në varrimin e Indrit Rrajës, ku flet dhe i vjen në ndihmë dhe ish-polici Ardit Hasanbegaj, i cili jep informacione mbi vendndodhjen e Licit në zonën e jugut.
Në përgjimet e zbardhura falë zbërthimit të aplikacionit “Sky”, del se Bajri flet dhe me biznesmenin Pëllumb Gjoka, ndërsa i tregon këtij të fundit që do ta vrasë Ibrahim Licin dhe Dorian Dulin dhe po kërkon njerëz për ta kryer vrasjen.
Një ditë më parë, Prokuroria e Shkodrës ka dorëzuar pranë Ministrisë së Drejtësisë dosjen me rezultatet e hetimit të kryer ndaj Ibrahim Licit, më të cilën kërkon ekstradimin e tij nga Turqia.
Ndaj Licit rëndon akuza e vrasjes së shtetasit Endri Mustafa, ngjarje e ndodhur në Maj të 2021 në qytetin e Shkodrës.
Dosja e cila do të përkthehet nga Ministria e Drejtësisë do të dërgohet pranë autoriteteve turke të cilat kanë nisur një proces ekstradimi atje.
Prokuroria e Shkodrës thotë se Lici bashkëpunoi me adoleshentin Ergys Malja, që kishte njihje me Endri Mustafën për të realizuar ekzekutimin e tij dhe fillimisht ka qenë dëshmia e të riut që çoi në zbardhjen e kësaj ngjarje.
Gjykata e Shkodrës më herët e dënoi në Maj të 2022 me 10 vite burg Maljan. Ibrahim Lici u shpall nga autoritet shqiptare në Prill të 2022, si një nga 5 personat më të kërkuar në Shqipëri, mes Laert Haxhiut dhe Talo Çelës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.