Politike

Arrestimi i zyrtarit të lartë të FBI, Gjiknuri: S’ka lidhje me ne, tymnajë për të sfumuar 21 Janarin (Depoziton tjetër kallëzim për Berishën)   

Në një konferencë të paralajmëruar një ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri tha të mërkurën se  një tjetër kallëzim penal do depozitohet ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit për 21 janarin.

Sipas Gjiknurit, ka prova të reja dhe SPAK duhet të nis hetim për Berishën dhe Bashën.

Ndërkohë ai komentoi edhe zhvillimet e fundit në SHBA konkretisht arrestimin e zyrtarit më të lartë të FBI-së ku ne hetimin ndaj tij janë përfshirë edhe disa takime të padeklaruara që ai ka zhvilluar në Tiranë me kryeministrin Edi Rama.

“Sot bëhen 5 ditë që publiku u njoh me një provë të re për 21 janarin. PS do të depozitojë sot një kallëzim penal ndaj Berishës, Bashës e Prendit. Referuar ngjarjes tragjike të 21 janarit. Ne e kemi drejtuar gishtin nga Sali Berisha, dhe nuk ka qytetar që nuk e di që urdhëruesit e vërtetë ishin Sali Berisha dhe bashkëpunëtori i tij i afërt Lulzim Basha. Drejtësia e re është treguar e pafuqishme për të hequr pluhurin e harresës. Prova e re përmban fakte të reja. Rezulton qartë se janë dhënë urdhra për të shtëna ndaj personave të pafajshëm. Faktohet me audio se vrasjet janë kryer në mënyrë të drejtpërdrejtë. Është bërë me porosi dhe urdhrin e Sali Berishës.

Nga deklarimet e bëra publike të të kallëzuarit Sali Berisha tregohet se si ai vet ka qenë në komunikim me Lulzim Bashën dhe Ndrea Prendin. Nuk kemi të bëjmë me një vrasje nga pakujdesia por për një vrasje të kryer me dashje. PS i kërkon SPAK të zhvillojë hetime konkrete ndaj të kallëzuarve.

Pse Sali Berisha dhe Lulzim Basha ishin në krye të gardës më 21 janar. PS nuk është pushtet gjyqësor, për 12 vjet kemi mirëkuptuar këdo. Besuam të drejtësia e re, por nuk mund të vazhdojmë të mbajmë në kurriz hijen e zhgënjimit që mbajnë të vrarët e 21 janarit. Duhet vepruar tani. Çdo ditë e humbur është vonë. Do e kallëzojmë sot në SPAK” tha Gjiknuri.

Më tej ai komentoi arrestimin e zyrtarit të lartë të FBI.

Ai u shpreh se akuzat janë tymnajë nga opozita e vendit për të sfumuar faktet e reja që kanë dalë për vrasjen e katër protestuesve të 21 janarit.

“Nisur nga faktet dhe çfarë kemi lexuar në atë dokument… kjo është një tymnajë e ngritur nga opozita për të sfumuar faktet e reja që kanë dalë në lidhje me 21 janarin. Ngrihet një problem tjetër që gjoja ka më shumë rëndësi se vrasja e qytetarëve të pafajshëm.

Së dyti mendoj se drejtësia amerikane e ka zbardhur atë çështje.

Zyrtari në fjalë, ka qenë njeri shumë i rëndësishëm, akuzohet për lidhje të tij me pagesa të një oligarku rus dhe nuk ka lidhje me ngjarjet e Shqipërisë, takimet që përmenden nuk faktojnë krime të kryera nga autoritetet shqiptare, përkundrazi ka pasur thyerje etike nga ana e tij për mospërmendjen e takimeve.

Sa i takon Nik Muzinës, rasti i tij është nënshtruar drejtësisë amerikane dhe askush se ka hedhur poshtë që paratë e marra nga zotëria në fjalë kanë origjinë ruse.

Në vetvete problemi ka të bëjë sesa drejt e ka zbatuar detyrën një zyrtar i lartë amerikan në lidhje me interesat e SHBA. Këtu s’mund të bësh fajtor kryeministrin që ka takuar një zyrtar të lartë të FBI, kur çdo zyrtar i lartë do ta takonte. Mos të ngatërrojmë dosjen e provuar të Muzinës, me çështje të tjera. Ky lajm ka rëndësi për Amerikën dhe jo për Shqipërinë”, u shpreh Damian Gjiknuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë