Politike

Arrestimi i Veliajt / Rama: U mor pa gjyq nga zyra e u mbyll në qeli! Lanë qytetin pa ‘kokë’

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Sy m’sy” ka reaguar për herë të parë për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga SPAK.

Ai u shpreh se ky rast e ka bërë të ndryshojë mendje për strategjinë e tij për të heshtur përballë vendimeve të drejtësisë, të cilën e ka ndjekur për 5 vite me radhë.

Rama u kujdes të mos përdorte termin arrestim, por tha se Veliaj është marrë pa gjyq nga zyra dhe drejtësia ka lënë një kryeqytet të tërë pa kokën drejtuese.

“Marrja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një kryeqytet të tërë pa kokën që detyrën ia kanë lënë mbi shpatulla treçerek zgjedhës është një ngjarje tejet e madhe që nuk mund ta kaloja si 5 vite me s’kam koment, s’kam koment. Unë nuk do t’i mbaj më për vete opinionet e mia në të gjitha rastet kur drejtësia do të bëjë punën e saj”, tha Rama.

Rama theksoi se nuk do t’i mbajë më për vete opinionet e tij kur ta shoh të arsyeshme që duhen ndarë me publikun në të gjitha rastet që drejtësia do bëjë punën e saj.

“Sot opinioni im është ky: Drejtësia e re ka hyrë tanimë në fazën që ka fituar të gjithë vetëbesimin e nevojshëm dhe mbështetja jonë do të vazhdojë njësoj e palëkundur, por ama nuk ka më pse të mos shprehim edhe opinionet kritike që sot në këtë fazë janë të domosdoshme për të ndihmuar konsolidimin e drejtësisë së pavarur”, shtoi Rama.

Kryeministri u shpreh se kritikat duhet të ndihmojnë një drejtësi jo thjesht të pavarur të hetojë e godasë majtas e djathtas kë konsideron të arsyeshme, por edhe një drejtësi me standarde të paqortueshme demokratike, europiane.

“Aq më tepër kur në mexhelisin tonë u bë 5 vjet që flasin të tërë mbarë e mbrapsht për këdo që bën parakalimin para kamerave të paralajmëruara te SPAK dhe vetëm ne, PS, garante e Refomës në Drejtësi, forca që qeveris vendin heshtin. Heshtja jonë patjetër që i ka ndihmuar shumë institucionet e reja të drejtësisë deri këtu”, shtoi Rama.

Ai e cilësoi si “minimalisht të çuditshëm” procesin hetimor, ndaj kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i nisur sipas tij, nga një novele anonime dorëzuar në shkurtin e kaluar në SPAK që ka pjellë një roman 400 faqesh.

Rama tha se autorët e veshur me pushtetin e drejtësisë kanë arritur që edhe nënën e një fëmije 6 vjeç ta dënojnë me arrest shtëpie.

“Këtu bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm për ta thënë minimalisht, shumë të çuditshëm, i nisur nga një novelë pafundësi fletësh, novelë anonime, dorëzuar në shkurtin e kaluar në SPAK, që ka pjellë një roman 400 faqesh afërsisht, ku autorët e veshur me pushtetin e drejtësisë, prokurorët, gjykatësit paraprak bashkë, kanë arritur që edhe nënë të një fëmije 6 vjeç ta dënojnë me arrest shtëpie, pasi babain e kanë çuar në parapaburgim”, deklaroi Rama.

Kryeministri shtroi pyetjen se kush do të kujdeset për të çuar këtë fëmijë në shkollë dhe për ta ushqyer ndërsa theksoi se ka raste të tjera që janë trajtuar ndryshe dhe nëna është hetuar në gjendje të lirë.

“Pyetja që lind është fare e thjeshtë, jo vetëm kush e çon dhe merr këtë fëmijë nga shkolla, por kush dhe si i jep këtij fëmijë për të ngrënë e kështu me radhë”, vijoi kryeministri.

Ndërsa theksoi se i hoqën kokën nga shpatullat bashkisë së Tiranës, duke lënë pa drejtim një kryeqytet me 1 mijë e një punë në ditë, pa gjyq.

“Ne nuk do të ngutemi, do të mundohemi të krijojmë një opinion të konsoliduar për aktakuzën për të cilën gjykatësi ka vendosur t’i heqë kokën bashkisë së Tiranës, duke lënë pa drejtim një kryeqytet me 1 mijë e një punë në ditë pa gjyq”, theksoi kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë