Ka ndodhur

Arrestimi i pastrueses me të birin, sekuestrohen edhe mbi 400 mijë euro, dollarë dhe flori të fshehura në tubin e aspirimit

Policia ka sekuestruar ditën e dielë edhe 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat ishin fshehur në banesën e 49-vjeçares Rozeta Dobi dhe djalit të saj, 23-vjeçarit Havier Dobi, të cilët u arrestuan një ditë më parë në Tiranë.

Mësohet se banesa e grabitur më 15 dhjetor i përket Alda Klosit, e cila ka qenë drejtore e koncensioneve në Ministrinë e Ekonomisë drejtuar nga Arben Ahmetaj dhe më pas shefe kabineti e Ministrisë së Rindërtimit.

Një ditë më parë policia bëri me dije se nënë e bir kanë vjedhur në një banesë 120 mijë euro dhe sende me vlerë. Në këtë banesë 49-vjeçarja punonte si pastruese.

Ndërkohë, ditën e sotme (e dielë) Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të operacionit policor të koduar “Inside”, nisur nga dyshimet e krijuara, mbi shumën e vjedhur në banesën në Rrugën e Kosovarëve, bazuar në inteligjencën informative dhe veprimet hetimore të thelluara është ushtruar rikontroll në banesën e shtetasve Rozeta Dobi dhe Havier Dobi (nënë e bir).

Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në tubin e aspirimit, 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Sakaq, një ditë më parë gjatë kontrollit fizik nga policia, autorëve u janë sekuestruar  8 milionë lekë, sende me vlerë, 3 automjete ku dy prej tyre ishin blerë me paratë e vjedhura dhe veshje të ndryshme.

Grabitja është kryer në banesën e Alda Klosit, ish-shefja e kabinetit të ish-zv. kryeministrit Arben Ahmetaj. Banesa në fjalë ndodhet në Rrugën e Kosovarëve, ndërsa mendohet se vjedhja në fjalë ka ndodhur në datën 15 dhjetor të 2022-shit.

Ishte pikërisht Klosi që ka bërë denoncimin në polici më 15 dhjetor, ndërkohë banesa ku është kryer vjedhja ishte marrë nga ajo me qira.

Do të jenë hetimet e mëtejshme të cilat do të zbulojnë, arsyen  se përse Alda Klosi një punonjëse me rrogë shteti,  kishte në shtëpi para cash të padepozituara në bankë.

Për momentin mbetet e paqartë nëse kjo shumë e konsiderueshme monetare vjedhur në shtëpinë e Alda  Klosit ishte e deklaruar apo jo siç e kërkon ligji për nëpunësit civil.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë