Gazeta Si – Seanca për shqyrtimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 5 personave të tjerë do të zhvillohet nesër (të mërkurën) në orën 08:30 në GJKKO.
SPAK e akuzon kryebashkiakun e Tiranës për “korrupsion” në 9 raste dhe për “pastrim të parave”. I njëjti vendim gjyqësor miratoi një masë “arrest në shtëpi” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa, e cila u rikthye menjëherë nga Italia mbrëmjen e të hënës.
Ajo akuzohet për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “mosdeklarim të pasurisë”. SPAK lëshoi edhe një masë sigurie “arrest në burg” për biznesmenin Elman Abule dhe masa sigurie “detyrim për paraqitje” për biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, të akuzuar për “korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë”.
“Duke pasur parasysh interesin që ka në media dhe në publik procedimi penal nr. 27, i vitit 2024, regjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të personave nën hetim Erjon Veliaj, Ju njoftojmë se seanca e marrjes në pyetje për personat nën hetim Erjon Veliaj, Ajola Xoxa, Elman Abule, Gentjan Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Shkëlqim Fusha për të verifikuar kushtet dhe kriteret e caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit është caktuar me datë 12.02.2025, ora 08:30. Tiranë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.