Drejtësia

Arrestimi i 3 zyrtarëve të policisë, si i mbyllën provat e aksidentit për 2 mijë euro për të mos arrestuar shoferen

Gazeta Si – Dy ditë pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Shtetit, për shkak të dyshimeve që lidhen me korrupsionin, Prokuroria e Posaçme ka treguar detajet se si funksionarët e lartë zhdukën provat e një aksidenti rrugor me 5 të plagosur për 2 mijë euro.

Në një njoftim zyrtar, SPAK thotë se dyshimet lidhen me një aksident të ndodhur 5 ditë më parë në Tiranë ngjarje që kishte për autore një grua.

Konkretisht në këtë skandal janë përfshirë: Shefi i komisariatit rrugor, Roven Zeka, shefi i hetimit të aksidenteve automobilistike, Sokol Novaku, dhe oficeri i Policisë Rrugore, Edison Tabaku te akuzar për korrupsion.

Prokuroria e Posaçme thotë se në datën 16 prill 2025 në Tiranë ka ndodhur një aksident, ku janë përplasur dy makina.

Si pasojë kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore pesë personat që udhëtonin në njërin nga makinat.

Më 18 prill, tre zyrtarët u vendosën në pranga për korrupsion pasiv, pasi pas aksidentit të ndodhur, SPAK thotë se drejtori Zeka dhe 2 të tjerët kanë marrë para nga një grua e identifikuar si Anisa Vrioni, e cila kishte bërë aksident.

Qëllimi ka qenë që prej tyre të mos referohej çështja në prokurori dhe për aksidentin të mos nisnin hetimet.

Shuma e parave të kërkuara është siguruar nga bashkëshorti i saj, Ergest Vrioni. SPAK thotë se gruaja ka kërkuar që aksidenti të mbyllej, ndërkohë që ka premtuar që ryshfetin prej 2 mije eurosh për punën që do të bënin do ua jepte bashkëshorti i saj.

“Pas të dhënave dhe informacionit të siguruar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka rezultuar se punonjës të policisë rrugore i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit, shtetases A.V, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj”, njoftoi policia.

Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga personi  nën hetim me ndihmën e disa personave të tjerë. SPAK thotë se ka arritur të provojë gjatë hetimit që kjo shumë i është dorëzuar njërit prej punonjësve të Policisë Rrugore.

“Urdhri i ndalimit të shtetasve: Edison Tabakun, Sokol Navaku dhe Roven Zekën është ekzekutuar nga BKH, në bashkëpunimin me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Gjatë kontrolleve të kryera për llogari të këtij procedimi penal janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumat prej; 2.500.000 lekë dhe 26 mijë euro”, njoftoi SPAK.

Roven Zeka erdhi në krye të komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë në Dhjetor të 2024, pasi më herët kishte shërbyer në qytetin e Elbasanit.

Ai ishte pjesë e trupës që ripërtëriu 48 drejtuesit e komisariateve në vend sipas modelit të emërimit me konkurrim, që u aplikua për herë të parë pas ndryshimeve ligjore dhe pas emërimit të Ilir Prodës në krye të Policisë së Shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë