Nga Gazeta ‘SI’ – Zbulohen detaje të reja në lidhje me 3 efektivët e policisë të arrestuar një ditë më parë nga AMP, me vendim të GJKKO dhe kërkesë të SPAK, të akuzuar si të përfshirë në trafik droge.
Sipas njoftimit tw SPAK, efektivët së bashku me 6 persona të tjerë, prej disa kohësh ishin të përfshirë në kultivimin dhe trafikun e kanabisit. Efektivët ishin të lidhur me trafikantët ku i mbulonin në kultivimin e drogës në zonën e Sarandës dhe jo vetëm.
Kanabisi më pas trafikohej në Greqi, dhe po ashtu aty kishin ndihmën e efektivëve për kalimin pa problem të kanabisit, i cili më pas kalonte për t’u shitur në territorin grek.
Një prej të arrestuarve është Shkëlzen Ruska, shef i krimeve në Himarë, i cili akuzohet për kultivim kanabisi, pjesëmarrje në grup kriminal të strukturuar, shpërdorim detyre dhe veprime të tjera të kryera nga organizata kriminale.
Po ashtu, është arrestuar edhe Ervis Alisinanaj, shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjes, i cili përballet me akuzat e të njëjtave vepra penale, si dhe për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të tjerë publikë.
Shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë, Elvis Dervishi, është shpallur në kërkim dhe akuzohet për “trafikim narkotikësh”, “Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Shpërdorim detyre”.
Erdit Hazizaj është tjetër person i arrestuar, i cili ishte larguar nga policia në vitin 2022. Ai akuzohet për trafik droge, kultivim bimësh narkotike, dhe përfshirje në grupe kriminale. Hazizaj ka qenë kandidat për kryetar Bashkie në Roskovec, nën siglën e PD.
Hetimet e SPAK kanë nisur prej kohësh për këta efektivë, pasi janë zbuluar lidhjet e tyre me bandat kriminale nëpërmjet aplikacioneve të koduara si Sky Ecc, ku rezulton se ata ishin të përfshirë në veprimtari kriminale që lidhen me narkotikët dhe më gjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.