Ka ndodhur

Photoshop për pronën në bregdet, arrestohet juristi i Kadastrës në Durrës dhe 3 të tjerë

Juristi i Kadastrës së Durrësit, së bashku me tre persona të tjerë, janë arrestuar me akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit.

Gjatë operacionit të koduar “Mbikalimi”, janë vënë në pranga, Ilias Fisheku, 62 vjeç, banues ne Fier, Giraon Aliko, 36 vjeç, lindur dhe banues në Plepa Durrës, Mikel Zaho, 43 vjeç, jurist në Zyrat e Kadastrës Durrës, ndërsa u la në “arrest shtëpie”, Rakip Haxhiu, 77 vjeç.

Dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta persona, kanë aplikuar dhe regjistruar në Hipotekën e Durrësit me dokumente të falsifikuara, një pasuri të paluajtshme 2000 m2, tokë Truall dhe mbi te 550 m ndërtese, në zonën bregdetare, fshatin Vrinjë, Njësia Administrative Rrashbull, rrethi Durrës.

Pasuria është regjistruar në kadastër faktikisht me dokumente të falsifikuara në emër të Giraon Alikos dhe Rakip Haxhiut, ku është përdorur Photoshop për lejen e legalizimit për objektin me një sipërfaqe ndërtimi 550m2 dhe sipërfaqe trualli 2000 m2.

Ka qenë prokuroria ajo që ka kërkuar arrestimin e Zahos dhe personave të përfshirë në tjetërsimin e pronësisë për një sipërfaqe rreth 2 mijë metra katrorë në zonën e Plepave. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që juristi Mikel Zaho bie në prangat e policisë. Ai është arrestuar edhe më herët pas dosjes së tjetërsimit të pronave në zonën turistike në Kepin e Rodonit dhe Gjirin e Lalzit.

Disa ditë më parë, zyra e Kadastrës së Durrësit është zhvendosur në Tiranë për shkak të proceseve të tejzgjatura dhe burokracive në zgjidhjen e rasteve të konflikteve mbi pronësinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë