Numri i të arrestuarve gjatë protestave të kësaj jave ka shkuar në të paktën 89 persona vetë në Tiranë. Që të gjithë janë shtetas të lindur pas vitit 1990, raporton jozyrtarisht policia e shtetit për Gazetën “Si”. 268 të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë për organizim tubimi të paligjshëm, kundërshtim të policisë, pengim qarkullimi, shkatërrim prone dhe përdorim lëndësh piroteknike. Por shkaku përse policia po analizon profilin e protestuesve nuk është numri i protestuesve të vendosur nën hetim si kurdoherë. Por mosha e tyre. Për herë të parë, pavarësisht se dhe më parë është vërejtur aktivizim i fëmijëve në protesta, ka dyshime se fëmijë të moshës 12 deri në 13 vjeç po përdoren për veprime të dhunshme, thotë një zyrtar i forcave të rendit për Gazetën “Si”. “Janë 30 për qind e protestuesve të aktivizuar me veprime dhune në këtë moshë dhe asnjëri nuk mund të merret nën përgjegjësi penale”, këmbëngul oficeri i rendit sipas të cilit asnjëri prej tyre nuk mund të arrestohet për shkak të moshës dhe as që mund të procedohet. Protesta e këtij dhjetori ndryshon po ashtu edhe për shkak të ndarjes në grupe të vogla të protestuesve, të cilët shpërndahen dhe hyjnë nëpër rrugica duke shkatërruar biznese e duke shkulur tabelat publike apo edhe duke djegur kazanët.
Fëmija që godet me gurë A. L. është njëri ndër këta fëmijë që është përdorues i rrjeteve sociale dhe që i pa aty thirrjet për të dalë në bulevard. Ai përmend për gazetën Si se nuk e ka shtyrë askush dhe se askush nuk po e inspiron. Madje gjatë paradites fëmijët e Laprakës kishin parë meme e një video të Stresit, të cilin ata e pëlqejnë dhe e imitojnë. “Kam ardhur fshehtas prindërve, jemi kështu një grup çunash, braktisëm biçikletat në Laprakë dhe erdhëm këtu. Më ka ndodhur që polici njëherë më kërkoi llogari poshtë pallatit, kam ardhur për Klodianin. Jam 13 vjeç, por nuk quhem fëmijë”. Por A. L. thotë se ka marrë çakmak për të djegur ndonjë tendë apo ç’t’i dalë përpara. Pyetjes se përse proteston ai i përgjigjet për herë të dytë “për Klodianin”. Fëmija i shkul gurët nga trotuari dhe herë pas here qëllon ndaj policëve pa llogaritur se mbi kë bien sendet e forta. Vazhdimisht bërtet “t’u biem” derisa veprimet e tij si edhe të të tjerëve frenohen nga gazi lotsjellës.
“Ne po hedhim gaz dhe mund të ngjajë joproporcionale, por është formë e reagimit në protestë. Vazhdojmë të dyshojmë se fëmijët po përdoren. E tillë ka qenë edhe përdorimi jo kaq i hapur i adoleshentëve në një nga protestat e vitit të kaluar. Ata nuk mund të procedohen ndaj dyshojmë se ka një nxitje”, shpjegon oficeri i policisë së rendit pranë zyrave qendrore të Policisë së Shtetit.
Por pak më larg fëmijëve të aktivizuar që thyejnë dritare e xhama, grupi i protestuesve të tjerë qëndron i distancuar. Ndonjëherë edhe me duar në xhepa. Ata janë në moshë madhore, në ndonjë rast edhe ish oficerë policie apo persona të politikës. Të gjithë gjenden për të protestuar për vrasjen e Klodian Rashës, por që pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt tanimë kërkojnë largimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Protestojnë thonë kundër diktaturës, kundër qeverisë Rama, kundër korrupsionit dhe qeverisë së krimit sipas tyre.
Arbesa, studente informatike insiston për Gazetën “Si” se ajo po shkonte për kafe në ish-Bllok dhe kur ndjeu erën e gazit lotsjellës të hedhur në bulevard, e ndau mendjen. “Ndalova këmbët dhe qëndrova. Kaq shumë gaz për disa të rinj, dhe përse? Sepse duan të protestojnë? Është gjëja më normale protesta”. Arbesa është e bindur që askush nuk e organizon dhe se qytetarët rastësisht po lidhen përmes jetës virtuale ku dhe thërrasin për të reaguar.
Rrjetet sociale
Ndërsa këtë shtunë dolën para gjykatës 4 të parët, për tre prej të cilëve u kërkua arrest me burg, rrjetet sociale janë kthyer jo vetëm në megafonin e një proteste. Artan Manushaqe përdori llogarinë e facebook për të ofruar ndihmë ligjore për të prangosurit. “Kush është ndaluar nga policia ose proceduar për protestat ofroj ndihmën time falas” njofton Manushaqe. Një tjetër avokate Adriana Kalaja, e përfshirë në protestat për ruajtjen e më pas kundër prishjes së teatrit. “Prindër familjarë, shokë dhe miq të personave të arrestuar. Ofroj ndihmën time ligjore dhe jo vetëm për lirimin nga qelitë e kriminelëve të të dashurve tuaj”, nënvizon Kalaja, e cila nuk mungon në këtë protestë së bashku me artistë të tjerë që zgjedhin transmetimet e drejtpërdrejta për të treguar çfarë ndodh në bulevard. Por veç protestës në bulevard që së fundmi u lejua pak minuta për tu shpërndarë nëpër rrugica, facebook po kthehet në ‘sheshin’ e protestës, për të cilin policia në njoftimet zyrtare tregon se po vëzhgon nxitësit në rrjetet sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.