Drejtësia

‘Arrest shtëpie’ me mbikëqyrje policore për Berishën, avokati Genc Gjokutaj: E paligjshme, hakmarrje e SPAK-ut

Gazeta Si – Genc Gjokutaj, avokati i Sali Berishës në dosjen “Partizani”, e ka cilësuar si të pabazuar në ligj kërkesën e SPAK-ut për masë sigurie “arrest në shtëpi” me mbikëqyrje policore.

Në një deklaratë për mediat, teksa shpjegoi arsyet e shtyrjes së seancës, Gjokutaj tha se kjo masë është marrë për të bërë një proces jo ligjor dhe për t’u hakmarrë ndaj Berishës.

“Seanca e sotme kishte të bënte me kërkesën e SPAK për zëvendësimin e masës ndaj ish Kryeministrit Berisha. Ne i kërkuam seancës të jepte dorëheqjen, për arsye që i kemi bërë të ditur. Ajo nuk u shpreh as  pro as kundër, – tha Gjokutaj. – Ne kishim dorëzuar kërkesën më parë që provojnë faktin se Berisha ka qenë kreu i KLD dhe në shkurt gjyqtarja e çështjes ishte shkarkuar”.

Sipas Gjokutajt, kërkesa e prokurorëve ishte shoqëruar me prova dhe “ne kërkuam të njiheshim, prandaj u vendos për nesër seanca (të mërkurën 27 dhjetor) seanca”.

“Ajo që dua të denoncoj, është se ndryshimi i masës së sigurisë është kërkuar me mbikëqyrje policore, e pambështetur në ligj ç’ka tregon qëllimin e SPAK, jo për të pasur një provë të ligjshëm, por për t’u hakmarrë”, tha avokati Gjokutaj.

Avokati i Berishës argumentoi më pas se “është e panevojshme dhe e paparashikueshme me ligj kërkesa e prokurorëve. Në asnjë rast ligji nuk parashikon mbikëqyrje policore. Kjo është për persona shoqërisht të rrezikshëm. Kjo nuk mund të krahasohet me argumentin e z. Berisha”.

Më herët, Gjykata e Posaçme shtyu për nesër (të mërkurën 27 dhjetor) në orën 11:00 seancën ku do të vendoset ashpërsimi i masës së sigurisë ose jo për ish-kryeministrin Sali Berisha. Ai akuzohet për korrupsion pasiv për çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.

Ndërkohë, po të mërkurën, në datë 27, në orën 9:00, në dhomë këshillimi në Gjykatën e Lartë do të vendoset fati i vulës së PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë