Nga Gazeta ‘SI’- Nga viti 1944 deri më 1991, Shqipëria jetoi nën regjimin totalitar më të izoluar në Europë. Ky sistem, i ndërtuar mbi mohimin e lirive themelore, kontrollin e rreptë politik e shoqëror dhe përjashtimin e çdo zëri kritik, e shndërroi vendin në një kamp të madh të mbyllur. Sipas studiuesit P. Shllaku (2015), tiparet themelore të regjimit ishin “centralizimi i pushtetit, krijimi i një armiku imagjinar dhe mohimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve”. Kufiri u bë simboli i këtij izolimi, pasi çdo tentativë për ta kaluar konsiderohej akt tradhtie. Fenomeni i arratisjeve ishte një nga format më të forta të rezistencës së qytetarëve.
Sipas një studimi të aktivistëve të Autoritetit të dosjeve, Irma Bataj Çaushi dhe Oralda Muço, referuar të dhënave të Sigurimit të Shtetit flitet për rreth 13,600 persona të arratisur gjatë periudhës 1944–1990, pa përfshirë ata që u larguan nga ambasadat në vitin 1990.
Ndër ta, rreth 4,784 ishin gra e fëmijë, ndërsa afro 998 persona humbën jetën në përpjekje për të kaluar kufirin. Studiuesi A. Buda (2019) thekson se këto shifra tregojnë jo vetëm përmasën e fenomenit, por edhe dhunën ekstreme të shtetit kundër qytetarëve të vet.

Zonat më të prekura ishin krahinat kufitare: Gjirokastra me 1,399 të arratisur, Shkodra me 924, Saranda 859, Kukësi 777 dhe Korça 729. Për Sigurimin, çdo ikje ishte jo vetëm humbje e kontrollit mbi individin, por edhe “rrezik për imazhin ndërkombëtar të vendit dhe burim propagande për armiqtë jashtë” (Arkivat e Sigurimit, cit. Ndreca, 2020).
Pasojat e arratisjes shtriheshin përtej individëve. Familjarët internoheshin, përjashtoheshin nga arsimi e punësimi, ose viheshin nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Historiania L. Ndreca (2020) shkruan se “regjimi përdorte politikën e ndëshkimit kolektiv për të frikësuar shoqërinë dhe për të penguar çdo tentativë arratisjeje”. Kjo politikë shfaqej veçanërisht pas rasteve të arratisjes në grup, kur goditja ndaj familjeve ishte edhe më e ashpër.
Në vitin 1959 u shpall një dekret amnistie, i cili në dukje ofronte kthimin e të arratisurve pa ndëshkim. Megjithatë, nga kjo nismë u përjashtuan 208 persona të cilësuar “kriminelë lufte”, ndërsa vetëm 60 të arratisur guxuan të ktheheshin në atdhe. Siç vihet në dukje nga dokumentet e kohës, ky dekret nuk krijoi besueshmëri, përkundrazi, i thelloi dyshimet tek shqiptarët jashtë vendit se kthimi do të shoqërohej me represion.
Sipas këtij studimi, mekanizmat e kontrollit kufitar ishin të shumtë. Përveç rojeve dhe postoblloqeve, kufiri u pajis me gardhin elektrosinjalizues të quajtur “Kloni”, që sinjalizonte çdo përpjekje kalimi. Sigurimi ngriti një rrjet të gjerë agjenturor, përpunoi qindra dosje operative dhe përgjonte vazhdimisht komunikimet e atyre që dyshoheshin për tendenca arratisjeje. Në udhëzimet e Ministrit të Brendshëm Hekuran Isai (cituar në dokumentet e Sigurimit, 1980), theksohej se “organet e Sigurimit duhet të zbulonin, parandalonin dhe godisnin në kohë veprimtarinë e arratisurve brenda e jashtë vendit”.

Një rast domethënës është ai i vitit 1983, kur dy familje nga Bilishti, me gjithsej 10 anëtarë, arritën të kalonin kufirin drejt Greqisë. Sipas fashikullit nr. 1957/50 (Arkivi i Sigurimit, 1973–1987), arratisja u realizua duke kaluar “Klonin” me shkallë druri të ndërtuara në shtëpi. Pas këtij akti, nëna e familjes u internua dhe u akuzua si agjente e zbulimit grek, ndërsa Sigurimi vijoi të përpunonte edhe fëmijët e mitur, të cilëve iu hapën kartela operative. Studiuesja Ndreca (2020) e quan këtë rast shembull tipik të “logjikës së biografisë së keqe”, ku faji i një brezi u bartte padrejtësisht mbi të tjerët.
Shkaqet e arratisjes ishin të shumta: represioni politik, ndëshkimet mbi biografinë, varfëria, konflikti me regjimin, por edhe dëshira për të rifituar lirinë apo për t’u bashkuar me familjarët jashtë vendit. Për Sigurimin, megjithatë, të gjitha këto interpretoheshin si “veprimtari armiqësore të nxitura nga agjenturat e huaja”. Ky diskurs shërbente për të justifikuar dhunën dhe izolimin, si dhe për të ushqyer frikën në shoqëri.

Në fund, kufiri nuk ishte thjesht një vijë ndarëse territoriale, por një mur i padukshëm që përfaqësonte filozofinë e regjimit: asnjë kontakt me botën e jashtme, asnjë mundësi për liri individuale. Arratisjet, pavarësisht rrezikut, mbetën dëshmi e guximit të qindra shqiptarëve që sfiduan sistemin dhe kërkuan të shpëtonin nga një regjim i hekurt.
Marrë me shkurtime nga website i “Autoriteti i dosjeve”, studimi me titull:”Shtigje të kthyera në kurthe, tela me rrymë dhe skuadra ndjekjeje”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



